Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka dalë me një paralajmërim të drejtpërdrejtë për bizneset që përdorin regjimin e magazinimit doganor.
Pas shqetësimeve të ngritura nga strukturat e kontrollit, administrata kërkon zbatim sa më rigoroz të ligjit për hyrjen, mbikëqyrjen dhe daljen e mallrave nga magazinat doganore.
Ky regjim u lejon kompanive të importojnë mallra dhe t’i mbajnë përkohësisht në magazina të miratuara, pa paguar menjëherë detyrimet doganore.
Pagesa kryhet vetëm kur malli del në treg ose kalon në një tjetër regjim. Por sipas Doganave, janë vërejtur raste neglizhence dhe moszbatim korrekt i procedurave.
Administrata kërkon që mallrat të dërgohen menjëherë dhe direkt në ambientet e miratuara sapo pranohet deklarata doganore, e cila mund të depozitohet vetëm në zyrat e autorizuara.
Magazinimi i mallrave të huaja duhet të justifikohet me nevojë reale biznesi dhe nuk mund të përdoret për të shmangur rregullat territoriale.
Theksohet gjithashtu rëndësia e përshkrimit dhe klasifikimit të saktë tarifor të mallrave.
Në magazinë, mallrat duhet të sistemohen në mënyrë që të kontrollohen lehtësisht.
Nëse mallra shqiptare dhe të huaja ruhen në të njëjtin ambient, ato duhet të ndahen fizikisht dhe të regjistrohen veçmas.
Bizneset janë të detyruara të dorëzojnë çdo datë 5 të muajit listën e stokut pranë degës doganore mbikëqyrëse.
Për mallrat me afat skadimi, si produktet ushqimore, deklarata për daljen nga magazinimi duhet të bëhet të paktën tre muaj para skadencës.
Asnjë mall nuk mund të dalë nga magazina pa u depozituar dhe pranuar më parë deklarata për regjimin pasues.
Po ashtu, ambientet duhet të plotësojnë standarde sigurie, përfshirë mbrojtjen nga zjarri, kushtet e ruajtjes, funksionimin e kamerave dhe sigurinë fizike.
Doganat theksojnë se do të ketë mbikëqyrje më të rreptë dhe zero tolerancë ndaj shkeljeve.
Sipas tyre, bashkëpunimi me operatorët dhe respektimi i plotë i ligjit është thelbësor për të mbrojtur interesat ekonomikë dhe financiarë të vendit.





