Postblloqe të shumta policie janë ngritur në Durrës në përbërje të të cilëve janë specialistë të krimeve, efektivë të FNSH-së, policisë së rendit etj.
Pas ngjarjeve të rënda kriminale të dy ditëve të fundit në Tiranë dhe Elbasan, në qytetin bregdetar janë shtuar postblloqet e policisë që kontrollojnë në mënyrë të imtësishme drejtuesit e mjeteve. Në pamjet filmike që po publikon DurrësLajm duken qartë kontrollet e shumta policore, në kryqëzimet kryesore të qytetit bregdetar.
Fokusi i këtyre kontrolleve janë kryesisht personat në kërkim, por edhe personat që mund të qarkullojnë me armë pa leje apo substanca narkotike. Postblloqe janë ngritur në të gjitha pikat hyrëse dhe dalëse në qytet, por edhe në lagje të njohura si zona problematike si Spitalla, ish-Këneta, Shkozeti etj.
Dy ngjarje të rënda njëra pas tjetrës tronditën opinionin publik ditët e fundit. Shpërthimi i fuqishëm i eksplozivit të vendosur në automjetin e Preng Gjinit, i cili mbeti i plagosur dhe ekzekutimi i vëllait të Talo Çelës, i akuzuar ndër të tjera dhe për atentatin vdekjeprurës ndaj dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në muajin prill të këtij viti në Durrës ka vënë në lëvizje policinë.





