Gazetari Gjergj Erebara ka komentuar sot paketën anti-KÇK të ndërmarrë nga qeveria shqiptare, e cila po vijohet me aksione në rrugë, ku janë ndaluar dhjetëra persona dhe iu është kontrolluar makina.
Në një reagim në “Facebook”, Erebara shkruan se Policia po ndalon njerëz pa kurrfarë shkaku të ligjshëm. Më tej shton se Policia i jep vetes të drejtë të ndalojë njerëz vetëm e vetëm pse kanë precedentë penal.
“Policia ka filluar te ndaloje njerez ne rruge dhe t’i shoqeroje per verifikim pa kurrfare shkaku te ligjshem. Disa jane automatikisht te dyshuar se kane precedente penale, te tjere, vetem se nuk kane dokument identifikimi me vete. Dhe policia i jep te drejte vetes te ndaloje njerez vetem e vetem pse kane precendente penale, ndersa ne njoftime fut ne te njejten kategori ‘personat me precedent penal’ dhe ata qe gjenden ne rruge pa dokument identifikimi me vete. Gjithcka per llogari te nje spektakli banal”, shkruan Erebara.
Sot, Policia bëri me dije se prej 4 ditësh, në të gjitha ambientet e Policisë në vend, i janë nënshtruar kontrollit dhe verifikimit të dokumentacionit mbi 140 automjete luksoze dhe për një pjese të tyre vijon verifikimi i dokumentacionit. Gjithashtu janë shoqëruar dhe verifikuar në ambientet e Policisë mbi 170 persona.





