Intensifikimi i konfliktit Rusi-Ukrainë prej muajit shkurt ndikoi te rritja e lartë të çmimeve të produkteve ushqimore dhe naftës, të cilat u reflektuan me shpejtësi edhe në Shqipëri.

Pas ngritjes të bordit të transparencës për kontrollin e çmimeve të karburanteve në mesin e muajit mars u krijua edhe Bordi për çmimet e produkteve të shportës, kryesisht: miell, vaj ushqimor, orizit dhe sheqerit.

Përcaktimi i çmimeve për 4 produktet ushqimore vijon të çorientojë tregtarët e vegjël. Dyqanet me pakicë të produkteve ushqimore të kontaktuara në terren nga Monitor pohojnë se për shkak të frikës të gjobitjes për rastet e mosrespektimit të çmimit janë detyruar të shesin edhe nën kosto.

Konkretisht bordi i transparencës prej 1 muaji ka fiksuar çmimin e shitjes të miellit që tregtohet me thes apo siç njihet ndryshe mielli masiv, jo miellit të paketuar në sasi 1 kg, për orizin vetëm atij kokërrgjatë dhe jo për llojet e tjera, për të gjitha markat e sheqerit dhe të vajit të lulediellit të ambalazhuar.

Në mbledhjen e zhvilluar më 4 prill Bordi i Transparencës vendosi që këto produkte duhet t’i ofrohen konsumatorit familjar në markete me çmime jo më të larta se: 104 lekë/kg për orizin kokërrgjatë, 123 lekë/kg për sheqerin, 321 lekë/litër për vajin e lulediellit dhe 90,5 lekë/kg për miellin masiv. Çmimet vijojnë të mbeten në fuqi pasi janë mbajtur të pandryshuara nga bordi i transparencës.

“Nuk ka akoma transparencë për çmimet që do të mbajnë dyqanet e vogla ushqimore. Konkretisht duke mos qenë të informuar kemi shitur miellin e paketuar 90,5 kg, kur vetë ishim furnizuar me çmim shumice 100 lekë për kg. Në furnizimin e radhës na është sqaruar nga tregtarët e shumicës që është fiksuar çmimi për miellin masiv. Por kjo shkaktoi humbje për ne, pasi shitëm nën kosto. Ndërsa për çmimin e orizit kokërrgjatë që bordi mban në kontroll është më tepër produkt stok, që nuk preferohet nga klientët, për shkak të cilësisë jo të lartë. Më tepër konsumohet orizi i rrumbullakët që tregtohet 170-180 lekë për kg”, thekson Qamil A. pronar i një dyqani ushqimor në zonën e Kinostudios.

Operatorë të tregut pohojnë se kontrolli i çmimit të miellit masiv nuk ka impakt te popullata, pasi numri i familjeve që gatuajnë bukën në shtëpi nuk është i lartë.

Akti normativ për ngritjen e bordit të transparencës për produktet ushqimore parashikon se subjektet importuese që nuk respektojnë vendimet për marzhin e fitimit do të gjobiten në masën 10 mln lekë dhe subjektet e vogla 2 mln lekë.

Fiksimi i çmimeve të tregtimit të produkteve ushqimore të shportës nga bordi i transparencës ka krijuar shqetësim edhe te importuesit. Më herët tregtarët e vajit ngritën shqetësimin se e mungesës së furnizimeve dhe shitjes nën kosto të mallit. Përveç kësaj barazimi i çmimeve po dëmton kompanitë që tregtojnë marka ushqimore, si në rastin e tregtimit të vajit ushqimor. Çmimi i kompanive që kanë investuar prej vitesh në cilësi dhe marketing po barazohet me marka dhe produkte që kanë hyrë shumë vonë në tregun shqiptar. /MONITOR