• Ministri Bode, çfarë “kurnaci”: reklamat të paguhen nga fituesi i koncesionit

TIRANË, 28 maj 2013– Tri ditë para hedhjes së “fallit” elektoral për pushtetin, Ministri Ridvan Bode shet kontrollin mbi bixhozin.

Ministria e Financave ka njoftuar në nivel global dhe kombëtar se ka ndërmend që, më 20 qershor, tri ditë para zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme, të zhvillojë tender për kontrollin mbi lojërat e fatit.

Ministri Ridvan Bode thotë se “ka vendosur që të rrisë kontrollin dhe monitorimin e shoqërive të licencuara në industrinë e lojërave të fatit dhe për këtë qëllim do të zhvillojë një procedurë konkurruese për dhënien e një koncesioni për të ngritur sistemin qendror të monitorimit dhe fiskalizimit të pajisjeve të lojërave të fatit”.

Për këtë arsye, do të iniciohet një procedurë ofertimi për dhënien e “koncensionit të sistemit qendror të monitorimit dhe fiskalizimit” me synimin për të përzgjedhur mes ofertuesve një shoqëri ose një konsorcium shoqërish si palë kontraktuese dhe për të rënë dakord për kontratën koncensionare, këtej e tutje.

Kontrata koncensionare do të jepet për një periudhë prej 10 vjetësh.

Sipas Ministrisë së Financave, “kontroll” do të thotë kontroll i çfarë do forme ose qëllimi, direkt ose nëpërmjet të drejtave të pronësisë mbi aksionet ose në mënyrë jo të drejtpërdrejtë nëpërmjet një trusti, kontrate apo të drejte pronësie mbi aksionet e një prej shoqërive në rast se një ofertues është pjesë e një konsorciumi të përkohshëm shoqërish.

Ofertat do të hapen më 20 qershor 2013.

Ndërkaq Bode është treguar “kurnac”, teksa thotë që “kostoja e publikimit do të rimbursohet nga fituesi i tenderit”, ndryshe nga ministrat e tjerë që mbajnë me reklama mediet afër mazhorancës, duke i paguar nga fondet e dikastereve ku janë titullarë.

Njoftimi i tenderit do të bëhet në një gazetë ndërkombëtare, të njohur në tregjet e kapitaleve dhe financiare, të specializuar për sektorin përkatës të koncesioneve, në 3 numra të njëpasnjëshëm, si dhe në të paktën 2 gazeta kombëtare të përditshme në 3 numra të njëpasnjëshëm.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/