Një operacion blitz policia italiane ka çuar në sekuestrimin e 3 kilogramë heroinë të pastër dhe arrestimin në flagrancë të një korrieri shqiptar 33-vjeç, i panjohur për drejtësinë deri në momentin e operacionit policore.
Aksioni filloi javën e parë të nëntorit. Policia financiare e Padovës, nën koordinimin e majorit Nicola Gazzilli, ka ngritur një shërbim kontrolli në dalje të autostradës Padova Ovest.
Pas ndalimit të dhjetëra makinave me rezultate “negative”, vëmendja e oficerëve, të cilët punonin me mbështetjen e repartit të qenve, u përqendrua te një “Nissan” që drejtohej nga shqiptari.
Pas një kontrolli të imtësishëm të kabinës, edhe me ndihmë të repartit të qenve, u vendos që të kryhej një hetim edhe më i rëndësishëm. Kështu u zbulua prania e një fundi të dyfishtë në ndarjen e bagazhit brenda karrocerisë.
Këtu u shfaqën tre kilogramë heroinë të ndarë në gjashtë pako. Droga cilësore, në shitjet me pakicë do të ishte prerë për të prodhuar 12 kilogramë me fitime të mëdha të paligjshme për tregtarët. 33-vjeçari, pasi është shoqëruar në zyrat për procedurat e rastit, është dërguar në burgun Due Palazzi në Padova dhe është vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë. Ai përballet me akuzën e posedimit të lëndëve narkotike për qëllime trafikimi.