DURRËS, 11 gusht 2013 – Gjatë korrikut dhe fillim-gushtit janë lëshuar ca “tollumbace” për grupet e kontrollit që ka paska dërguar Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë nëpër pikat e pakicës së lëndëve energjetike.
“Veprimi ynë nuk është aksion spontan, ca më pak për të bërë efekte të zakonshme mediatike”, betohet Drejtorja e përgjithshme e Metrologjisë Kozeta Mesiti.
Bëhet fjalë për inspektorët që po verifikojnë çdo distributor nafte, nga Durrësi deri në Vlorë, gjatë sezonit veror, kur dhe konsumi i karburantit në këto qytete rritet ndjeshëm.
Por Mesiti nuk bën transparente se çfarë kanë zbuluar njerëzit e vet, çfarë quan ajo “probleme”, cilat subjekte që janë ndëshkuar dhe arsyet.
E vënë në pozitë të vështirë nga mediet, Mesiti sqaron se “në punën tonë nuk duam as të jemi të njëanshëm, duke parë vetëm mbrojtjen e interesave të qytetarit si konsumator. Përkundrazi, në të njëjtën kohë duhet kuptuar se dëmtimi i biznesit nuk mund të jetë qëllimi i punës sonë.
Është detyra jonë edhe mbrojtja e biznesit”. Në vitet 2000-2003 ajo ka punuar në Petrolimpex Sh.A (subjekt privat për tregtimin e karburanteve), si shefe e departamentit të financës.
Krijohet përshtypja se inspektorët e metrologjisë kanë dalë për “gjueti” për të kapur ndonjë lek, sa për “Salën” (shtetin), sa për “Lalën” (xhepin e tyre dhe të eprorëve) në prag të ndërrimit të pushtetit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





