Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, SH.T.Z Peter Zingraf dhe Përfaqësuesi i Komisariatit të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) në Tiranë, Pablo Zapata morën pjesë në një aktivitet të organizuar në Universietin “Aleksandër Moisiu” me rastin e 70-vjetorit të Konventës së Gjenevës për Refugjatët.

Aktivitetin e moderoi alumni e UAMD-së, Suada Dida, e cila ndër të tjera u shpreh se “të rinjtë duhet të qëndrojnë e të japin kontribut në vendin e tyre, sepse janë pikërisht ata që do të bëjnë realitet ëndrrën e kahershme, integrimin e Shqipërisë në BE.”.

Fjalën më pas e mori Rektorja e UAMD-së, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, që nënvizoi se ky përvjetor është domethënës për Shqipërinë e shqiptarët, për historinë tonë të djeshme dhe të sotme.

“Si universitete, duhet të kemi në fokus misionin e ndërtimit dhe konsolidimit të vlerave në shërbim të ndërtimit të një modeli social e kulturor të ngjashëm me atë të Evropës së Bashkuar, ku të forcohen standardet e demokracisë dhe të respektohen të drejtat e njeriut”.

Sotirofski u ndal edhe në largimin e të rinjve nga vendi ndërsa bëri thirrje për ndërtimin e një kuadri rregullator për të përafruar kurrikulat dhe diplomat universitare europiane në mënyrë që të rinjve t’ju krijohen mundësi për punësim.

Ambasadori gjerman në Shqipëri, Zingraf diskutoi mbi valët e emigracionit në Gjermani, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek refugjatët nga Shqipëria dhe Kosova. Sa i përket Konventës së Gjenevës, ai u shpreh se “më shumë se 82 milionë refugjatå në të gjithë botën janë larguar nga lufta, konflikti dhe persekutimi dhe dhe se vendet nuk duhet duhet të ndalojnë së ndihmuari deri sa problemet e tyre të kenë gjetur zgjidhje”.

Përfaqësuesi i UNHCR-së,  Zapata i njohu studentët me Konventën e Gjenevës si baza kryesore e së drejtës ndërkombëtare për refugjatët. Ai u shpreh se gjatë tre viteve të fundit, numri i refugjatëve që kalojnë transit në vendin tonë ka pasur një rritje të madhe, çka kërkon një adresim më të mirë të kësaj problematike. 

Të pyetur nga studentët mbi mundësinë e programeve edukative mbi refugjatët dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre, dy të ftuarit u shprehën se do do të shohin mundësinë e përfshirjes së literaturës mbi refugjatët në kurrikulat e Universitetit “Aleksandër Moisiu”.

Zv.rektorja Eva Allushi tha në një prononcim për DurrësLajm se  Shqipëria, e cila deri më dje ekportoi refugjatë është sot një vend mikpritës i refugjatëve që vijnë nga vendet e luftës.

“Qeveria shqiptare por jo vetëm, Shoqëria Civile, institucionet arsimore janë sot pjesë e angazhimit për të ndërtuar platforma të cilat nga njëra anë garantojnë respektimin e të drejtave të njeriut dhe të individit në Shqipëri, qofshin ata shqiptar apo të huaj dhe nga ana tjetër kanë një përpjekje të gjithëanshme të bëjmë të mundur që të gjithë ata refugjatë të cilët janë larguar nga Shqipëria të mund të kthehen. Të thithim trurin, të thithim rininë, të mbajmë këtu ata që do të garantojnë të ardhmen e Shqipërisë.”