TIRANE, 22 shkurt 2013– Partia Socialiste ka nisur ditën e parë të Konventës për prezantimin e programit politik dhe qeverisës të saj. Konventa është mbajtur në Pallatin e Kongreseve, në prani të shumë delegatëve.
Ashtu siç parashikonte programi Konventa ka nisur me një video, në të cilën është prezantuar në pika kyçe programi i PS-së për një “Rilindje Shqiptare”. Konventa ka vijuar me një listë të gjatë pyetjesh të bëra nga kreu i PS-së, Edi Rama, përgjigjet e të cilave duket se merren në programin qeverisës të Partisë Socialiste.
“Ne çfarë Shqipëria duam të jetojmë? Si duam të jetë vendi ynë pas 10, 20, 30 vjetesh? Cila është zgjedhja që duhet të bëjne shqiptarët më 23 qershor. Përtej ngjyrës së fanellave politike, dhe emocioneve të tifozëve, ku ndryshojmë ne? Pse Shqipëria sot shkon në drejtim e gabuar? Çfarë propozojmë ne, socialistët dhe progresistët për kthimin e vendit në drejtimin e duhur? Çfarë do të bëjmë ne për të zmbrapsur krimin që ka vënë poshtë shtetin, dhe ka kallur pasigurinë? Si do ta ndalim ne rritjen e papunësisë? A mundet Shqipëria të rritet ekonomikisht, dhe të mos rrënohet shoqërisht me më shumë se 1 milionë të papunë që rritetn përditë?. Pse ne nuk e pranojmë taksën e sheshtë? Si do ta transformojmë ne sistemin e taksave, në një sistem të ndershëm taksimi? Po taksat për 95% të popullsisë si do t’i ulim? Pse kompanitë e biznesit të madh duhet të votojnë PS-në? Cili do të jetë statusi i ri social i sipërmarrësit? A do vendosim në drejtësinë dhe rendin ligjor, apo kultura e pandëshkueshmërisë do bëjë ligjin? Ku po shkon gjenerata e re? Si do ta mbyllim ne epokën e diplomave pa vlerë?”- ishin disa nga pyetjet e shtruara nga kreu socialist Edi Rama.
Konventa ka vijuar me pas punimet e saj me prezantimin nga kryetarët e grupeve të punës për çdo seksion të programit, per krimin dhe sigurine, arsimi, shendetesine, sportin dhe per shtresat ne nevoje. Konventa e PS-së do të vijojë me punimet e saj, për të prezantuar pjesë të tjera të programit për një “Rilindje Shqiptare” nesër në orën 10:00.