Në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit u zhvillua Konventa Kombëtare e Projektit Zero-C, një aktivitet me rëndësi të veçantë për të ardhmen e sektorit detar dhe logjistik në Shqipëri.
Konventa bëri bashkë përfaqësues të universiteteve, institucioneve publike, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, kompanive detare të transportit, operatorëve logjistikë, si dhe ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë të fushës.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit europian Zero-C, i cili synon të mbështesë dekarbonizimin e transportit detar dhe logjistikës, duke promovuar modele të qëndrueshme zhvillimi, eficiencë energjetike dhe përdorimin e teknologjive inovative, në përputhje me objektivat e Marrëveshjes së Gjelbër Europiane.
Gjatë konventës u prezantuan objektivat kryesore të projektit, aktivitetet e realizuara deri më tani, si dhe rezultatet e pritshme që lidhen me zhvillimin e kapaciteteve akademike, përfshirjen aktive të studentëve dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet arsimit të lartë dhe industrisë.
Diskutimet u fokusuan veçanërisht në rolin e kërkimit shkencor, inovacionit dhe teknologjive digjitale në reduktimin e emetimeve të karbonit dhe rritjen e eficiencës operacionale në sektorin detar.
Një vëmendje e posaçme iu kushtua rolit të partnerëve të biznesit, përfshirë Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe kompanitë detare dhe operatorët e transportit dhe logjistikës, të cilët u vlerësuan si aktorë kyç në procesin e tranzicionit të gjelbër.
Përfaqësuesit e sektorit privat theksuan rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet akademike dhe publike për të ndërtuar politika të qëndrueshme, për të investuar në teknologji të pastra dhe për të përgatitur burime njerëzore të kualifikuara për sfidat e reja të tregut.
Në kuadër të konventës u nënvizua gjithashtu nevoja për bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe për përfshirjen aktive të institucioneve vendimmarrëse në hartimin e strategjive dhe politikave që mbështesin dekarbonizimin e sektorit detar. Aktiviteti shërbeu si një platformë e hapur dialogu për shkëmbimin e ideve, përvojave dhe praktikave më të mira mes akademisë, industrisë dhe institucioneve.
Në përfundim u nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi mes UAMD-së dhe Autoritetit Portual Durrës, Drejtorisë së Përgjithshme Detare si dhe bizneseve private.
Konventa Kombëtare e Projektit Zero-C përforcon angazhimin e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit dhe partnerëve të tij akademikë dhe të biznesit për të kontribuar në mënyrë aktive në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit detar dhe logjistik, duke e vendosur bashkëpunimin mes arsimit, kërkimit shkencor dhe industrisë në qendër të ndërtimit të një të ardhmeje më të gjelbër, më konkurruese dhe më të qëndrueshme për ekonominë shqiptare.






