18 vite pas hapjes së tij, Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës mbetet i vetmi institucion publik i arsimit të lartë pa konvikt për studentët.

Megjithëse numëron mbi 18.000 studentë në këtë vit të ri akademik, kampusi universitar i UAMD-së mbetet i pa kompletuar me godina për konviktet.

Në të dy nivelet e studimit, Bachelor dhe Master, ka mijëra studentë që vijnë nga rrethet dhe kanë nevojë për t’u akomoduar në konvikt, por projekti për të ndërtuar një të tillë duket ende i largët në kohë.

Gjithsesi një zgjidhje provizore është gjetur, por mbetet për t’u parë në të ardhmen nëse do të vihet në zbatim.

“Si zgjidhje emergjente, në bashkëpunim edhe me bashkinë Durrës, ku përfitoj nga rasti të falenderoj kryetaren e bashkisë, është rënë dakort që një pjesë e apartamenteve që do të mbesin pa shpërndarë pas shpërndarjes së fondit të ndërtesave për të pastrehët do të vihen në dispozicion të studentëve të UAMD-së për zgjidhjen e problemit të strehimit.”,- deklaroi rektori Shkëlqim Fortuzi.

Akomodimi provizor i një pjese të studentëve pritet të bëhet në apartamentet e reja të sitit të Spitallës, por nuk ka ende një shifër konkrete sesa hyrje mund të vihen në dispozicion të studentëve që vijnë nga rrethet.

Aktualisht pjesa më e madhe e studentëve nga rrethet akomodohen në shtëpi me qira në Durrës, por rritja e çmimit të qirave mujore, sidomos vitet e fundit, ka krijuar vështirësi të shumta ekonomike tek ata. Përveç qirasë, studentët detyrohet të paguajnë edhe koston e transportit deri në Kampusin Universitar, pasi pavarësisht premtimeve të shumta ndër vite, Karta e Studentit mbetet akoma një premtim i papërmbushur.

Bashkia Durrës deri më tani ka zhvilluar dy shorte publikë për shpërndarjen e mbi 500 apartamenteve në zonën e rindërtimit në Spitallë, ndërkohë që të tjerë shorte pritet të mbahen në javët në vazhdim për t’i pajisur me shtëpi të re banorët e qytetit dhe njësive administrative që mbetën të pastrehë nga tërmeti i 5 viteve më parë. Në këtë zonë janë ndërtuar 85 pallate 4 katëshe me 996 apartamente banimi, të destinuara për të akomoduar qytetarët, që fatkeqësia natyrore i la pa banesë.

M.B.