Për katër netë me radhë fëmijët e Durrësit dhe prindërit e tyre kanë ndjekur me interes të madh shfaqjen e dedikuar vogëlushëve ”Kopelja”.

Në të gjitha netët e premierës që erdhi për herë të parë nën regjinë e Driada Dervishit e të koreografit Arjan Plaku salla e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” ka qënë e mbushur plot edhe në llozhat e sipërme, ndërsa shitja e biletave u bë disa ditë para premierës.

Ajo që ra në sy ishte pjesëmarrja e veçantë e aktores së njohur durrsake Aishe Stari, e cila rrëfeu përrallën e bukur që e sollën në skenë 100 balerinë fëmijë e adoleshentë të moshave të ndryshme.

Është bërë traditë vitet e fundit që të gjithë fëmijëve të Durrësit, si dhuratë për festat e fundvitit të marrin një shfaqje kulturore enkas për ta.

Ashtu si vitin e shkuar kur u shfaq “Shitësja e vogël e shkrepseve” edhe këtë vit “Kopelja” u vlerësua dhe u pëlqye nga të gjithë ata që e ndoqën.

Historia e baletit është frymëzuar nga Hoffman, krijuesi i njohur i Arrëthyesit, me muzikë nga kompozitori Leo Delibes.

Subjekti bën fjalë për një fshat të vogël, ku jeton nje kukullabërës pak magjistar, i quajtur Coppélius, i cili pas shumë përpjekjesh ka arritur më në fund të krijojë kryeveprën e jetës së tij, një kukull mekanike, identike me një njeri, në përmasa e detaje, që quhet Coppelia. Siç pritet, ngaterresa  të shumta ngjasin për shkak te saj, skena xhelozie, kukulla të çuditshme që fillojnë të vallëzojnë. Ky balet shënon shfaqjen e tij të parë në 1870 në Teatrin Kombëtar të Operas të Parisit e që atëherë qëndron në repertor, jo vetëm aty por në shumë vende të ndryshme të botës.

K.H.