Situata skandaloze në të cilën jetonin kafshët në Kopshtin Zoologjik Safari të Fierit, e denoncuar nëpërmjet një shkrimi nga mediat ndërkombëtare të martën, ka sjellë dhe reagimin e autoriteteve shqiptare.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, njoftoi në një postim në rrjetet sociale, se ka urdhëruar nisjen e një aksioni nga Inspektorati i Mjedisit në këtë kopsht zoologjik dhe se kafshët do të merren në mbrojtje nga Shoqata për Mbrojtjen e Kafshëve.
“Në përgjigje të lajmit të publikuar në Daily Mail dhe dhjetëra mesazheve për situatën e papranueshme, ku jetojnë disa kafshë në një kopsht zoologjik privat në Fier, urdhërova urgjentisht nisjen e një aksioni nga Inspektorati i Mjedisit, i cili në bashkëpunim me Policinë e Fierit dhe Shoqatën për Mbrojtjen e Kafshëve kanë vendosur të zhvendosin kafshët me qëllim marrjen e tyre në mbrojtje nga kjo e fundit. Aksioni do të vijojë edhe nesër deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj ngjarje të turpshme!”, shkruan ministri Klosi në postimin e tij në “Facebook”.
Në një shkrim të publikuar nga e përditshmja britanike “DailyMail”, por edhe në disa media të tjera të huaja, janë publikuar këto imazhe të bëra në Kopshtin Zoologjik Safari, që ndodhet në Fier. Që në nisje të shkrimit, e përditshmja britanike tregon për kushtet skandaloze të tij kopshti, duke e cilësuar si “kopshti zoologjik nga ferri”.
“Autoriteteve shqiptare u bëhet thirrje që të marrin masa ndaj një “park safari nga ferri”, pas disa fotografive të reja që tregojnë kushtet shokuese në këtë kopsht. Imazhet u kapën në Kopshtin Zoologjik Safari në Fier dhe tregojnë një luan të paushqyer, thatim e që shfaqet me një sy të dëmtuar e të pa trajtuar. Kafshët e tjera, përfshirë një zebër, një ujk të dobët dhe disa drerë, shfaqen të mbyllur në kafaze të shkreta prej betoni, në një park zoologjik privat”, thuhej në shkrim.
Imazhet u realizuan nga një fotograf, i cili mbetet anonim dhe qëllimi i tij ishte pikërisht që të tërhiqte vëmendjen e autoriteteve.





