Prokuroria e Korçës ka dërguar për gjykim kërkesën ndaj drejtorit të Drejtorisë së Shëndetit Publik, në Devoll, Valent Nallbati, edhe inxhinierit Panajot Pilani. Që të dy akuzohen për falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre, pasi, në vitin 2015, kanë realizuar procedurë fiktive për rikonstruksionin e godinës së institucionit, për punime të cilat ishin kryer që në vitin 2011.
Fillimisht hetimi ndaj të pandehurve është zhvilluar me masën e sigurimit “arrest në burg”, e cila u ndryshua nga Gjykata e Apelit në “detyrim për paraqitje”. Bëhet e ditur se nga hetimi i Prokurorisë së Korçës, i cili nisi në bazë të informacioneve të mbërritura pranë saj, ka rezultuar se godina e Drejtorisë së Shëndetit Publik, në Devoll, është rikonsturktuar në mënyrë të plotë në vitin 2011 dhe mbikqyrës punimesh ka qenë pikërisht shtetasi Panajot Pilani. Pavarësisht këtij fakti, në momentin që ka marrë detyrën dhe në vazhdim, shtetasi Valent Nallbati ka kryer një sërë punimesh rikonstruksioni në këtë godinë, nëpërmjet punonjësve të vetë këtij institucioni. Kështu, edhe pse kjo godinë dhe ambientet e jashtme të saj janë të rregulluara më së miri, shtetasi Valent Nallbati ka bërë kërkesën për çelje fondi dhe ka nisur një procedurë prokurimi, krejtësisht të panevojshme, për të kryer punime të cilat dukshëm janë të kryera. Referuar preventivit të përpiluar dhe procesverbalit të kqyrjes së objektit, rezulton se zërat e parashikuara në preventiv janë të njëjta me ato punime që janë të kryera në objekt.
Marrë nga gazeta "Shekulli"





