Policia e Korçës, pas sekuestrimit të një sasie të mallrave kontrabandë, ka vë në pranga një shtetas, teksa në gjendje të lirë po ndiqen dy doganierë. Në pranga ka përfunduar shtetasi M. K., 32 vjeç, banues në Bilisht, ndërsa doganierët që po ndiqen penalisht për shpërdorim detyre janë shtetasit me iniciale L. K., banues në Sovjan të Korçës, dhe E. M., banues në Korçë.
Nga kontrolli i ushtuar nga shërbimet e Policisë në fshatin Zëmblak në një automjet tip Mercedez Benz, janë gjetur rreth 400 palë konfeksione të ndryshme, të dyshuara si mallra kontrabandë. Pronari dhe drejtuesi i automjetit nuk zotëronte dokumentacionin shoqërues. Nderkohe, në vijim të veprimeve hetimore, ka rezultuar se shtetasi M. K. sasinë e mallrave e kishte kaluar nga pika e kalimit kufitar e Kapshticës.





