Në pazarin e Korçës sot tregtarët kanë ulur qepenat e bizneseve të tyre në shenjë proteste kundër masave të Bashkisë. Kjo e fundit ka marrë një vendim për orientimin e llojit të tregtisë që do të zhvillohet nga subjektet në zonën e pazarit. Por, sipas kreut të Shoqatës së Biznesit, Albert Nasto, ky veprim është antiligjor. "Bashkia s’mund të detyrojë tregtarët çfarë të shesin. Do i drejtohemi gjykatës për këtë vendim," – paralajmëroi Nasto.

Ndërkohë, nga Bashkia e Korçës mësohet se pazari do të kthehet si dikur. "Do rikthehen hanet dhe dyqanet si vite më parë. Bashkia ka bërë marrëveshje me pronarët e ndërtesave të pazarit," – deklarojnë burime nga Bashkia e Korçës.