Tri vatra zjarri janë shfaqur të premten pasdite në pyjet e fshatit Vidohovë, në kufi me Greqinë, duke djegur kështu sipërfaqe të konsiderueshme me pisha. Duke qenë se të tri vatrat e zjarrit janë në një zonë malore pa rrugë kalimi, ka qenë pothuajse e pamundur shuarja e zjarreve.

Në kushte të tilla, punonjës të Shërbmit Pyjor, të Policisë Kufitare, të Policisë së Rendit, por dhe ato të njësisë administrative Miras, si edhe banorë të zonës, vetëm kanë arritur të lokalizojnë flakët që të ndihmuara edhe nga era përhapeshin me shpejtësi. Vetëm në orët e pasdites së kësaj dite është arritur që zjarret të jenë nën kontroll, pa arritur shuarjen e tyre. Policia e Shtetit njofton se në përqindje të madhe kemi të bëjmë me zjarre të qëllimshme, nisur nga largësia e pyjeve nga fshati Vidohovë.

Të tre këto zjarre vijnë në një kohë kur është ndaluar prerja e pyjeve nga ana e banorëve të zonës, të cilët të ardhurat kryesore financiare  i sigurojnë nga shitja e druve të zjarrit.