Kordinatorja e fushatës elektorale të PD në zgjedhjet e 25 prillit 2021, e zgjedhur tashmë nga Kuvendi në bordin e AMA si propozim i PD, Desada Metaj, reagoi dje nëpërmjet një statusi në facebook, ndaj deklaratës së Sali Berishës, për propozimin e saj në AMA.
“Nuk kam patur kurrë dyshime për koherencën e munguar politike të Sali Berishës, por kam shpresuar gjithmonë se të paktën informacionet për zëdhënëset do t’i kishte të sakta. Duke u nisur dhe nga dobësia që ka për to!” shkruan jo pa ironi Desada Metaj në statusin e saj.
Në seancën plenare të së enjtes, Kuvendi votoi 6 emrat e përzgjedhur nga Komisioni i Medias për vendet vakante në AMA. Anëtarët e rinj të bordit të AMA-s janë Aurela Bicja, Besjan Zogaj, Desada Metaj, Gjergj Hamiti, Jetmir Halilaj dhe Joana Allushi, të votuar në seancën e së enjtes me mbi 3/5 e votave të parlamentit.
Kandidatët u përzgjodhën me një formulë, ku secila palë politike kishte të drejtë të ruante preferencat e veta, duke skualifikuar emrat e tjerë në listë. Përzgjedhja u bë gjatë një mbledhjeje me dyer të mbyllura në komisionin e Medias më herët këtë javë.
AMA ishte që prej vitit 2019 me 3 vakanca, ndërsa 3 të tjera u krijuan në vitin 2021. Disa përpjekje të shumicës për të plotësuar ato gjatë legjislaturës së kaluar pa praninë e opozitës zyrtare dështuan, ndërsa u akuzuan si përpjekje për marrje kontrolli të institucionit.
“Po ndiqja me shumë vëmendje zhvillimet në komisionin e inceneratorëve kur më thanë se Sali Berisha paska deklaruar se zgjedhja ime në bordin e AMA-s qënka tregues i bashkëqeverisjes, meqë aty drejton ish zëdhënësja e Ramës dhe unë (sipas tij) zëdhënëse e Bashës. Pozicion të cilin se kam patur kurrë në PD. Pas 22 vitesh në gazetarinë aktive kam drejtuar komunikimin e fushatës elektorale të PD për zgjedhjet e 25 prillit.
Kur PD mori vendim për t’u larguar nga çdo institucion, përfshirë parlamentin dhe bashkitë, ajo kishte përfaqësuesit e saj në AMA të bekuar dhe nga Sali Berisha. Ata nuk e braktisën vendin në bord, duke qenë i vetmi institucion që kishte përfaqësues të PD. Tani që dhe vetë Berisha është rikthyer në parlament dhe opozita sërish ka përfaqësuesit e saj në AMA, unë përfaqësokam bashkëqeverisjen” shkruan Desada Metaj.
Akuza e Berishës u bë dje në daljen e tij publike në prezantimin e një prej kandidatëve të Shtëpisë së Lirisë.





