Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol ka urdhëruar arrestimin e liderit të partisë së tij në pushtet, Han Dong-hoon. Lista e arrestimeve përfshinte gjithashtu kreun e Partisë Demokratike kryesore të opozitës, Lee Jae-myung, si dhe tre ligjvënës të opozitës.
Han Dong-Hoon, kreu i Partisë së Pushtetit Popullor (PPP), kishte thënë në fillim të javës se partia e tij nuk do të mbështeste mocionin e opozitës. Por ai njoftoi se kishte “prova të besueshme” se Yoon kishte urdhëruar arrestimin e politikanëve kryesorë me “akuza antishtetërore”.
Ai shprehu shqetësimin se “veprimet ekstreme”, siç është deklarata e ligjit ushtarak, mund të përsëriten nëse Yoon do të mbetej në detyrë.
“Duke pasur parasysh faktet e reja që kanë dalë në dritë, unë besoj që pezullimi i menjëhershëm i detyrave të presidentit të Yoon Suk Yeol është i nevojshëm për të mbrojtur Republikën e Koresë dhe njerëzit e saj”, – tha Han Dong-hoon, kreu i Partisë së Pushtetit Popullor të Yoonit
Vendimi erdhi ndërsa partitë politike të vendit mbajtën mbledhje urgjente. Mocion për shkarkimin e Yoon është caktuar për të shtunën, do të kalojë nëse dy të tretat e deputetëve votojnë pro. Nëse mocioni është i suksesshëm, kryeministri Han Duck-soo do të marrë përgjegjësitë presidenciale, ndërsa Gjykata Kushtetuese e Koresë së jugut do të diskutojë nëse do të konfirmojë largimin e Yoon nga detyra apo të rivendosë kompetencat e tij.
Ligjvënësit e opozitës janë të shqetësuar se do të ketë një tjetër përpjekje për vendosjen e gjendjes ushtarake. Disa prej tyre kanë qëndruar pranë ambienteve të Asamblesë Kombëtare për të votuar kundër çdo deklarate të tillë. Dhjetëra mijëra koreano-jugorë pritet të mblidhen të shtunën për të kërkuar dorëheqjen ose largimin e Yoon nga pushteti.