Vendi ku bën testimet bërthamore Koreja e Veriut do të mbyllet në maj. Lajmin e bëri të ditur Zyra e Presidentit të Koresë së Jugut.
Një zëdhënës tha se mbyllja e Punggye-ri do të bëhet në publik dhe do të ftohen për ta parë këtë mbyllje ekspertë nga Koreja e Jugut dhe SHBA. Zëdhënësi presidencial, Yoon Young-chan tha se Kim kishte deklaruar se “do të kryente mbylljen e vendit të testimit bërthamor në maj”.
Shkencëtarët kanë thënë më parë se ky vend testimi mund të ketë rënë pjesërisht në muajin shtator.
Të premten, kreu i Koresë së Veriut, Kim Jong-un dhe Presidenti i Koresë së Jugut, Mun Jae-in, ranë dakord që të punonin për të “pastruar” Gadishullin Korean nga armët bërthamore.
Samiti i tyre erdhi pas muajsh retorike luftarake nga Veriu.
Të shtunën, Presidenti i SHBA, Donald Trump tha se ka gjasa që të mbajë bisedime me udhëheqjen e Koresë së Veriut “gjatë tre ose katër javëve të ardhshme” rreth denuklearizimit të gadishullit.
Koreja e Veriut deri tani nuk ka bërë komente publike për këtë çështje.