Koreja e Veriut njoftoi se testet e saj më të fundit ushtarake përfshinin raketa të pajisura me koka shpërndarëse, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar arsenalin bërthamor.
Sipas mediave shtetërore të Phenianit, testimet erdhën një ditë pasi ushtria e Koresë së Jugut raportoi për disa lëshime raketash nga bregu lindor i Koresë së Veriut – seria e dytë e lëshimeve brenda dy ditësh.
Agjencia zyrtare e lajmeve KCNA bëri të ditur se testet zgjatën tre ditë, duke nisur nga e hëna, dhe përfshinë gjithashtu demonstrime të sistemeve kundërajrore, armëve elektromagnetike si dhe bombave me fibra karboni, raporton CNN.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Koresë së Jugut, raketat e lëshuara të mërkurën përshkuan distanca nga 240 deri në 700 kilometra përpara se të binin në det. Ndërkohë, të paktën një tjetër raketë u identifikua të martën, e lëshuar nga një zonë pranë kryeqytetit Phenian.
KCNA theksoi se testimet përfshinë edhe demonstrime të sistemeve me koka shpërndarëse të vendosura mbi raketat balistike Hwasong-11, të cilat kanë kapacitet bërthamor. Këto raketa paraqesin ngjashmëri me sistemet ruse Iskander, pasi janë projektuar për fluturim në lartësi të ulët dhe manovrim për të shmangur sistemet e mbrojtjes kundërraketore.
Sipas raportit, këto raketa me rreze të shkurtër veprimi, kur pajisen me koka të tilla, mund “të shkatërrojnë plotësisht çdo objektiv në një sipërfaqe prej 6.5 deri në 7 hektarësh, me intensitet maksimal”.
Zhvillimet e fundit theksojnë tensionet e vazhdueshme mes dy Koreve, duke zbehur shpresat për përmirësim të marrëdhënieve.
Në një deklaratë të martën në mbrëmje, zëvendësministri i parë i Jashtëm i Koresë së Veriut, Zhang Kum Chol, deklaroi se Koreja e Jugut do të mbetet gjithmonë “shteti më armiqësor” për Veriun, duke ironizuar përpjekjet e qeverisë në Seul për rifillimin e dialogut dhe duke i cilësuar zyrtarët e saj si “naivë”.
Ndërkohë, lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka ndërprerë praktikisht çdo kontakt diplomatik me Seulin dhe Uashingtonin që prej dështimit të bisedimeve bërthamore me ish-presidentin amerikan Donald Trump në vitin 2019. Që atëherë, Pheniani ka përshpejtuar zhvillimin e raketave me kapacitet bërthamor, të cilat konsiderohen kërcënim për aleatët e SHBA-së në Azi dhe për vetë territorin amerikan.
Paralelisht, Kim ka kërkuar të forcojë marrëdhëniet me Rusinë, Kinën dhe vende të tjera që janë në rivalitet me Shtetet e Bashkuara, në përpjekje për të dalë nga izolimi ndërkombëtar dhe për të rritur ndikimin rajonal.
Mediat shtetërore njoftuan gjithashtu se ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, pritet të mbërrijë në Korenë e Veriut të enjten për një vizitë dyditore, në kuadër të intensifikimit të kontakteve diplomatike mes dy vendeve.





