Shteti komunist i Koresë së Veriut ka kryer testin e 6 bërthamor, gjashtë ditë përpara Ditës së Themelimit të Republikës së Koresë së Veriut.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm i Japonisë, Taro Kano. Ai tha se u ndjenë dridhje toke të ngjashme me lëkundjet sizmike. Pasi u analizua situata nga Instituti Sizmik dhe agjencia e motit, u arrit në konkluzion se dridhjet e tokës nuk ishin shkaktuar nga tërmete, por nga test bërthamor.

“Qeveria konfirmon se Koreja e Veriut kreu një test bërthamor pas shqyrtimit të informacionit nga agjencia e motit dhe informacione të tjera”, thotë ministri i Jashtëm japonez.

Testimi bërthamor u krye disa orë pasi diktatori i Koresë Veriore Kim Jong Un doli në median shtetërore dhe tha se kishte inspektuar bombat e reja me hidrogjen. Media shtetërore deklaroi se këto bomba të reja mund të ngarkohen në një raketë balistike.

Zyrtarët e Koresë së Jugut thanë se dridhjet e tokës të shkaktuara nga shpërthimi, e kishin origjinën në Kilju County, vendi ku ndodhet baza e testimit bërthamor Punggye-ri të Koresë së Veriut. Vitin e kaluar, testi i pestë bërthamor u krye në 9 shtator, në ditën e themelimit të republikës.