Koreja e Veriut deklaroi se kishte simuluar një sulm me raketa bërthamore për të paralajmëruar Shtetet e Bashkuara për rrezikun e luftës bërthamore. Media shtetërore KCNA, e ka  përshkruar stërvitjen si një simulim të një “sulmi taktik bërthamor”.

Stërvitjet kishin për qëllim të “paralajmëronin armiqtë për rrezikun aktual të luftës bërthamore”, raportoi KCNA duke cituar Komisionin Qendror Ushtarak të Partisë së Punëtorëve të Koresë.

Sipas tij stërvitjet u kryen në agimin e së shtunës dhe përfshinin “dy raketa strategjike të lundrimit me rreze të gjatë me koka bërthamore të rreme”.

Sulmi bërthamor i organizuar ishte në përgjigje të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të kryera nga Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut, në fillim të javës.

“Pamaturia dhe natyra e rrezikshme e histerisë së konfrontimit të tradhtuar së fundmi nga SHBA dhe gangsterët e ‘Republikës së Koresë’ janë të paprecedentë në histori,” tha KCNA, duke iu referuar Koresë së Jugut.

“Forca bërthamore e Koresë së Veriut do të forcojë pozicionin e saj të përgjegjshëm të kundërveprimit luftarak në çdo mënyrë për të penguar luftën dhe për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”, vijoi KCNA.

Ushtria e Koresë së Jugut tha se kishte zbuluar disa raketa lundrimi të lëshuara nga Koreja e Veriut në Detin e Verdhë midis Kinës kontinentale dhe Gadishullit Korean, rreth orës 4 të mëngjesit të së shtunës, sipas orës lokale.