Koreja e Veriut ka dërguar avionët ushtarakë në bregun e saj lindor dhe ka filluar të rrisë mbrojtjen pasi deklaroi një ditë më parë se SHBA ka shpallur luftë.
Peniani kërcënoi se do të qëllojë mbi bombarduesit amerikanë që fluturojnë pranë gadishullit korean “edhe kur ata nuk janë brenda kufirit të hapësirës ajrore të vendit tonë.”
Paralajmërimi erdhi pasi sulmuesit ajror amerikanë B-1B, të shoqëruar nga avionë ushtarakë fluturuan në lindje të Koresë së Veriut, në një demonstrim force pas shkëmbimeve të tensionuara të retorikës mes Donald Trump dhe Kim Jong-un mbi programet bërthamore dhe raketore të Penianit.
Ministri i jashtëm i Koresë së Veriut, Ri Yong-ho, deklaroi se presidenti amerikan ka kërcënuar regjimin e Kim, duke e konsideruar atë një deklaratë lufte dhe se Peniani kishte të drejtë të merrte kundërmasa.
Tensionet janë përshkallëzuar në rajon qëkur Koreja e Veriut ka kryer testin e gjashtë dhe më të fuqishëm të bombës bërthamore më 3 shtator dhe ka lëshuar dy raketa balistike mbi Japoninë gjatë muajit të kaluar.
Ashpërsia e retorikave u rrit në një intensitet më të lartë gjatë javës së kaluar pasi dy krerët shkëmbyen kërcënime dhe fyerje personale.