KORE- Koreja e Veriut bëri sot të ditur se ka kryer me sukses një provë të tretë bërthamore nëntokësore. Në njoftim thuhet se testi përfshiu një pajisje ne miniaturë, që kishte një forcë më të madhe shpërthyese sesa provat e mëparshme të kryera nga Peniani. 

"Një provë e tretë bërthamore u krye me sukses'', njoftoi agjencia zyrtare koreanoveriore e lajmeve, KCNA duke shtuar se ky operacion kishte si qëllim mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe sovranitetit të vendit kundër armiqësive të vazhdueshme të SHBA-së.

Testi bie ndesh me Rezolutat e Këshillit të Sigurimit, që i bëjnë thirrje Koresë së Veriut, që të ndalojë punën për të zhvilluar armë bërthamore. Agjencitë sizmologjik raportuan për të martën një tërmet në Korenë e Veriut, me magnitudë pesë. 

Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut tha se besonte që Peniani kishte kryer një test që përfshin një pajisje bërthamore me një eksploziv midis gjashtë dhe shtatë kilotonësh. 

OKB – TAKIM I KËSHILLIT TË SIGURIMIT MBI TESTIN E TRETË BËRTHAMOR

Diplomatët thanë se Këshilli i Sigurimit pritet të takohen sonte vonë për të diskutuar mbi situatën. Ndërkohë, presidenti Obama bëri thirrje për një reagim të shpejtë dhe të besueshëm nga komuniteti ndërkombëtar. Ai theksoi se testi bërthamor nuk e bënte Korenë e Veriut më të sigurte duke shtuar se Uashingtoni do të qëndronte vigjilent në angazhimet e saj në Azi. 

LONDRA KËRKON NJË PËRGJIGJE TË ASHPËR NGA OKB KUNDËR KORESË SË VERIUT 

Ministri britanik i Punëve të Jashtme, William Hague dënoi sot provën e tretë bërthamore të Koresë së Veriut dhe kërkoi një përgjigje të ashpër nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. 
"Dënoj ashpër këtë veprim që shkel rezolutat 1718, 1874 dhe 2087 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së'', deklaroi shefi i diplomacisë britanike në një komunikatë. Britania e Madhe do të fillojë bisedimet urgjente me partnerët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kërkoi një përgjigje të fortë ndaj këtij zhvillimi të fundit.

JAPONI – SHINZO ABE: PROVA BËRTHAMORE KOREANO-VERIORE NJË VEPRIM PËR TË ARDHUR KEQ 

Kryeministri japonez, Shinzo Abe dënoi sot provën tjetër bërthamore të Koresë së Veriut duke e cilësuar si një keqardhje shumë e madhe. 
Kjo provë shkel një serë rezolutash të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ky veprim është shumë për të ardhur keq dhe ne do të vazhdojmë të protestojmë me forcë'', deklaroi Abe, pak pas konfirmimit nga Pheniani të kësaj prove. 
Ministria koreano-jugore e Mbrojtjes theksoi se fuqia e shpërthimit të kësaj prove bërthamore ka qenë 6-7 kilotonë, kundër një kilotoni për provën e vitit 2006 dhe dy dhe gjashtë për atë të vitit 2009. 
Bomba atomike e lëshuar nga amerikanët në Hiroshima ka qenë 15 kiloton. 
Për organizatën e trajtimit të ndalimit të plotë të provave bërthamore (CTBTO) me bazë në Vjenë, prova bërthamore nga Pheniani përbën një kërcënim të qartë për sigurinë ndërkombëtare.