Kori i zërave të bardhë performoi mbrëmë për publikun durrsak në sheshin qendror të qytetit.

Me zërat e tyre ëngjëllore, vogëlushët e këtij kori, pjesë e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, dhuruan për të pranishmit shumë atmosferë festive në këtë prag fundviti.

Nën drejtimin e Sonila Baboçit dhe dirigjimin e Dritan Lumshit, kori i zërave të bardhë interpretoi një repertor të zgjedhur dhe të përgatitur enkas për festat e fundvitit.

Në jo pak raste, publiku që i ndiqte në shesh këndonte së bashku me koristët e vegjël shumë nga ariet më të famshme të Krishtlindjes.

Kori i Zërave të Bardhë, i themeluar në shtator të 2022-shit, është bërë pjesë e shumë produksioneve të TKOB-së përgjatë këtij viti.