Korinthiasi dhe Çelsi luajnë sot në orën 11.15 finalen e Botërorit të klubeve, që do të vendosë skuadrën më të mirë të planetit për vitin 2012.
Në Jokohama të Japonisë, blutë e Londrës duan të fitojnë të vetmin trofe të rëndësishëm që u mungon në historinë e tyre. Peshorja anon natyrshëm në krah të Çelsit në këtë sfidë, por Korinthiasi ka përjetuar ndeshje të “hekurta” në Kupën Libertadores dhe është mësuar me kundërshtarë më të fortë.
Në Japoni do të mungojnë disa nga protagonistët e dy finalisteve, por sërish ndeshja nuk e humbet rëndësinë. Çelsi do të jetë pa Xhon Terrin, kapitenin simbol, si edhe pa Didier Drogba, udhëheqësi në Championsin e shkuar.
Korinthiasi ndërkaq ka humbur Leandro Kastan që ka shkuar te Roma dhe organizatorin Aleks, që është transferuar në Katar. Suksesi i fundit i amerikano-jugorëve në këtë kompeticion daton në 2006, kur Internacional mundi Barcelonën e Rajkard. Korinthias duket pikërisht një ekip i ngjashëm, por Çelsi sërish mbetet i frikshëm.