Kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla është pyetur sot nga gazetarët lidhur me rrezikun e koronavirusit në Shqipëri dhe mundësinë për shtyrjen e Kongresit të Partisë Socialiste. 

Balla tha se Shqipëria është vend normal dhe se Ministria e Shëndetësisë ka marrë masat qëkur virusi i gripit u shfaq për herë të parë, ndërsa sulmoi edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, të cilin e quajti “personazh negativ” që përhap panik.

“Shqipëria është shtet normal. Shqipëria ka një qeveri që bën detyrën çdo ditë. Ministria e Shëndetësisë ka marrë masat shumë herë më parë në kohë, kur ky virus gripal u afrua në Europë. Qëkur virusi doli në Kinë, Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa nëpërmjet një protokolli të mirë detajuar. I bëj thirrje qytetarëve që nuk ka nevojë për panik. Gjithçka duhet bërë sipas udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë. Kongresi i PS do të zhvillohet normalisht sipas një axhende tre ditore, është në një mjedis të mbyllur në pallatin e Kongreseve për çdo lloj mase tjetër, jo vetëm ne por çdo person tjetër duhet të ndjekë masat e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë. Personazhi më negativ në gjithë historisë së këtij vendi mbetet Sali Berisha. Sa herë ka epidemi e fatkeqësi merr përsipër të shpërndajë lajme e të bëhet burim i alarmeve dhe shpikjes së lajmeve panikuese pa asnjë lloj burimi që kur tmerroi qytetarët e nderuar të Kavajës, që i dhanë mundësi të jetë deptuet për disa vjet, me shume se 15 vjet për sa i përket karantinës, ishte e turpshme që një ish kryeminister të shpërndajë lajme të tilla që s’kanë asnjë të vërtetë brenda tyre dhe për më tepër që ky person dikur ka qenë doktor”, theksoi Balla.