Miliarderi dhe filantropi 64-vjeçar Bill Gates, ka deklaruar që nëse funksionon vaksina kundër koronavirusit e eksperimentuar nga Universiteti i Oksfordit, ai është i gatshëm të marrë përsipër kostot e prodhimit.
Gates e bëri deklaratën në një intervistë për ‘London Times’.
“Nëse rezultatet e tyre të antitrupave janë ashtu siç janë premtuar, atëherë unë dhe të tjerët në konsorcium do të sigurohemi që vaksina të prodhohet në masë”, tha Gates.
Fondacioni Bill dhe Melinda Gates, i cili ka kohë që është i përfshirë në kërkime shkencore dhe biomjekësore, do të punojë për të financuar prodhimin e miliarda doza vaksinash, në mënyrë që t’i shpërndajnë ato në të gjithë botën. Qëllimi, thotë ai, është që të prodhohen në sasi të mjaftueshme, për të mirën e të gjithëve dhe jo për para.
Gates pret që të mbledhë më shumë se 6.5 miliardë dollarë nga qeveritë dhe organizatat e kërkimit për prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinës.
Miliarderi dhe filantropi së fundmi u tërhoq nga bordi i Microsoft për t’iu përkushtuar bamirësisë. Ai e ka përshkruar pandeminë nga koronavirusi si “makthin e tij më të keq”.
Ekipi i Oksfordit ka zhvilluar tashmë një vaksinë kundër Mers, një lloj tjetër i koronavirusit, duke përdorur të njëjtën metodë dhe që kishte rezultate premtuese në provat klinike.





