Durrsakëve u është ndërprerë jeta social-kulturore si pasojë e vendimit të qeverisë, që nisi me mbylljen e institucioneve arsimore publike e jo publike, për të shmangur grumbullimet e njerëzve.

Por durrsakët nuk e kanë ndalur shëtitjen në qytet, apo qëndrimin në kafene gjatë ditës së sotme. Shumica e tyre nuk ndihen në panik, as në frikë, por shqetësohen më së shumti për të afërmit emigrantë në Itali me familjet e tyre.

Banorët e Durrësit thonë se kanë folur me fëmijët që jetojnë në shtetin fqinj, të cilët ndodhen në karantinë në pamundësi për të lëvizur. Shqetësimi i tyre është pikërisht ky, që fëmijët të jenë mirë me shëndet.

Ndërkohë që durrsakët i janë gëzuar dielli të ngrohtë ditës së sotme në shëtitje të gjata. Rrugët kanë qenë pothuajse plot me qytetarë të të gjitha moshave.

Shumë fëmijë nuk kanë asnjë masë mbrojtëse, sikundër ndodhi ditët e para kur të gjithë nxituan të pajiseshin me maska në fytyrë.

Institucionet po kështu kanë vijuar punën normalisht, ndërsa Autoriteti Portual i Durrësit pezulloi lundrimet me të gjitha portet italiane në veri, si masë paraprake për të parandaluar hyrjen e prsonave të infektuar me koronavirus.

K.H.