Futbolli në kampionatin kinez është pezulluar për shkak të virusit vdekjeprurës, Koronavirusi, teksa një prej yjeve të kombëtares së femrave të Kinës, Uang Shuang, mund të humbasë grumbullimin me kombëtaren Olimpike.

25-vjeçarja është nga qyteti i Uhan, ku është dhe vatra e virusit, dhe nuk mund të largohet prej andej, deri sa situata të normalizohet.

E ndodhur në këtë situatë të vështirë, futbollistja e ka thuajse të pamundur të krijojë kushtet për t’u stërvitur, teksa së fundmi ka publikuar një video duke luajtur së bashku me vëllain e saj, mbi çatinë e pallatit ku banojnë.

Mesfushorja Shuang momentalisht është pjesë e skuadrës lokale të Uhan ku ka luajtur 12 ndeshje këtë sezon dhe ka shënuar 3 gola. Me kombëtaren e Kinës ka luajtur 104 ndeshje dhe ka shënuar 28 gola.