Anila Pojani, konsullja shqiptare në Milano, konfirmoi mbrëmjen e sotme në emisionin “Real Story” vdekjen në Itali të një shtetaseje 56 vjeçe nga Durrësi, e cila ka pasur një komplikacion kardiak, por edhe ka rezultuar positive ndaj koronavirusit.

Sipas konsulles, ajo ishte kontaktuar nga një agjenci funebre, që do të realizojë ceremoninë funebre të së ndjerës.

Ndërkohë familja e shtetases me origjinë nga Durrësi është në karantinë. Pojani tha se për ceremoninë e varrimit do të operohet pasi familja e së ndjerës të dalë nga karantina.

“Dokumentacioni i zonjës ka mbërritur sot në Konsullatë. Djali, vajza dhe bashkëshorti i të ndjerës janë të gjithë në karantinë. Ceremonia mortore është pezulluar, për shkak të situatës. Të gjithë viktimat janë në morg, ne spitalet përkatëse. Ky virus u përhap shpejt dhe ishte i panjohur.”, tha Pojani.

Familja me origjinë nga Durrësi ishte e vendosur në veri të Italisë, aty ku është tani për tani vatra më e nxehtë e përhapjes së koronavirusit.

Autoritetet italiane njoftuan sot se janë 7.985 të sëmurë nga koronavirusi në Itali, ndërsa numri i të vdekurve ka arritur në 463 persona. Që nga dita e parë e shfaqjes së koronavirusit në Itali, numri i personave të prekur është 9.172.