Situata epidemiologjike e Covid-19 po rëndohet dita-ditës në vendin tonë, me një numër të lartë të infektuarish dhe humbjesh jete.

Nga të dhënat e fundit të publikuara pak më parë nga Ministria e Shëndetësisë, në qarkun e Durrësit janë aktualisht 344 raste aktive të prekur nga virusi Covid-19.

Pjesa më e madhe e tyre janë të vetëkarantinuar në banesa, të cilët ndiqen dhe monitorohen nga mjeku i familjes. Për shkak të rrezikut të përhapjes së koronavirusit edhe te familjarët, në rastet kur një qytetar rezulton pozitiv, karantinohet e gjithë familja që jeton me të.

Nga lista e plotë që “DurrësLajm” disponon të personave të karantinuar, aktualisht në Durrës janë 423 të karantinuar, të cilët janë të shtrirë në të gjitha lagjet e qytetit; Katund të Ri, Xhafzotaj, Shijak, Sukth, Rrashbull deri në Ishëm.

Vihet re se Covid-19 është përhapur në shumë institucione shtetërore, biznese private, apo dhe shkolla e kopshte të qytetit. Po ashtu, ka dhe fëmijë e pensionistë të karantinuar, që janë të detyruar të qëndrojnë te izoluar në banesë për të paktën 14 ditë.

Shtrirja e personave të infektuar dhe atyre të karantinuar sipas vendeve të punës:

Spitali Rajonal Durrës, Drejtoria e Policisë Durrës, Dogana Durrës, Drejtoria e Bujqësisë, Blloku i udhëheqjes në Plepa, mesues, studentë, menaxherë biznesesh private, Policia Bashkiake Shijak, punonjës banke, Kolegj privat, staf kopshti, drejtoria dhe stafi i DRAP, Drejtoria e Tatimeve, agjenci sigurimesh, UAMD, Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore, Posta Durrës, Bashkia Durrës, mjekë të NJVKSH, stomatologë, fasoneri të ndryshme, financierë, ekonomistë që aktualisht punojnë nga shtëpia, shitëse dyqani etj..

S.L.