Teuta e kishte marrë me seriozitetin më të madh planin përgatitor të kësaj jave, që ishte në funksion të ndeshjes me Laçin. Për shkak të gabimit fatal që bënë në ndeshjen e fundit, ku barazuan në shtëpi me Flamurtarin, “djemtë e detit” po përgatiteshin për të bërë kthesën ndaj kurbinasve.
Me këtë mision Teuta ka vijuar edhe dje përgatitjet, por më vonë u është komunikuar që ndeshjet e fundjavës janë pezulluar nga situata e Koronavirusit. Pas njoftimit të pezullimit të aktiviteteve, menjëherë klubi durrsak ka ndërmarrë masa parandalimi duke ndërprerë edhe procesin stërvitor dhe stërvitja është anuluar.
Më e rëndësishme është shëndeti i lojtarëve, ndërsa futbolli ka kaluar në plan të dytë. Teuta e ka pezulluar stërvitjen. Klubi u ka kërkuar lojtarëve që të rrinë të gjithë brenda në shtëpitë e tyre. Në këto momente të vështira që po kalon vendi, askujt nuk i shkon mendja të zbresë në fushën e blertë, pasi situata është jo e mirë.
Teuta pritej të ishte më e plotë për ndeshjen me Laçin, pasi do të ktheheshin nga pezullimi dy mbrojtësit që munguan ndaj Flamurtarit, Rustem Hoxha dhe Blagoja Todorovski.
Ekipi u përgatit këtë javë për të nisur një tur force, pasi e prisnin dy ndeshje vendimtare, fillimisht me Laçin dhe më pas me Bylisin. Pas hapit fals me Flamurtarin, në këto dy sfida kërkohet maksimumi, në mënyrë që Europën ta arrijnë edhe nga kampionati.





