·        Fushata që zhvilloi Halim Kosova në Tiranë dhe z. Alibeaj në Fier u përgëzua nga të gjithë shqiptarët dhe është modeli më i mirë i Partisë Demokratike në këto zgjedhje

·        Dolën të sakta ato zërat që thoshin se ç’thotë Berisha bën Basha: kohë më parë një i ardhur në një fshat pyeti një grua se, “kush ishte kryetari i fshatit”? Gruaja përgjigjet: “Kryeplak është burri im mor të keqen, por pyetet një tjetër atje poshtë në fund të fshatit”

·        Politikanë të zotë ka Partia Demokratike në qoftë se Basha do pastrojë Partinë Demokratike nga “drutë e deformuar që prishin gjithë stivën”

NGA SEFEDIN METHOXHA  

Kryetari i Partisë Demokratike po mbush dy vjet si “zoti i parë” i kësaj partie. Nuk është kohë e gjatë për një opinion të saktë, por edhe pak s’mund të thuhet se siç është shprehur Stendali, njerëzit që udhëheqin, duhet vlerësuar edhe me një orë mbret. Lulzim Basha ka “fjalën kyçe” në gjithë hapësirën e kampit opozitar. Por ç’tregojnë zgjedhjet e 21 Qershorit për Lulzim Bashën?

Objektivi i tij në këtë fushatë torturuese për të, më shumë se sa ballafaqimi i programit zgjedhor, pati dekriminalizimin e qeverisë. Një sërë skenarësh banalë që fabrikoheshin për ditë në zyrën e tij, që qarkullonin nëpër takimet me elektoratin, me objektin kryesor ndezjen e konflikteve midis popullit dhe mazhorancës. Kështu, teza e parë është hedhur në qarkullim në këtë fushatë nga gramafonat e Berishës, i cili e filloi procesin zgjedhor me mllefe kundër Ramës, me një arrogancë qesharake. Kjo sjellje tanimë është banale dhe e diskredituar. Nga këto arsye trysnuese, Luli nuk i njeh problemet reale në hapësirën e partisë së tij. Ai s’duhet të “vërshëllejë” kurrë me nota “politike” të Sali Berishës. Ne nuk jemi për spostimin e Sali Berishës, ai ka meritat e veta në këtë parti si themeluesi i saj si edhe për kontributin që ka dhënë ai në proceset demokratike të vendit. Por, ai po del shumë lakuar për prishjen e imazhit të kësaj partie. Le të përmendim vetëm një fakt: Të gjitha figurat e tjera të kësaj partie i pranuan rezultatet e zgjedhjeve, zoti Berisha nga foltorja e parlamentit shqiptar i bën thirrje popullit të ngrihet në një revolucion demokratik dhe të rrëzojë këtë “bandë qeveritare”. Për ç’popull e ka fjalën z. Berisha? Se populli shqiptar e mandatoi bindshëm këtë qeveri me zgjedhjet e 21 Qershorit dhe për këtë thirrje publike që bëri ai ka marrë edhe urime të tilla si, “Ik dhe thyej qafen”, “Nuk na u shqite”, “Ke turp apo jo”.

Do ti që dolën të sakta ato zërat që thoshin se ç’thotë Berisha bën Basha?! Mos u çudisni se edhe ndodh kështu. Kohë më parë një i ardhur në një fshat pyeti një grua se, “kush ishte kryetari i fshatit”? Gruaja përgjigjet: “Kryeplak është burri im mor të keqen, por pyetet një tjetër atje poshtë në fund të fshatit”. Dhe ata që deshën ta nxirrnin xha Salinë në pension e kuptuan që ai nuk kishte mbushur moshën!

Tani zgjedhjet mbaruan dhe doktori sikur s’po ndihet, a thua të jetë mërzitur pse s’u bë Shqipëria blu siç kishte premtuar me të madhe Luli?! Por Luli ynë, siç e keni marr vesh, falënderoi të gjithë ata që i kanë shprehur urimin e fitores “një hap përpara” mendonte të kishte bërë edhe dy hapa përpara po te mos i kishin ikur aleatët andej nga ka më shumë kokrra orizi. Tani Lulit nuk po i del llogaria dhe kërkon që të bëhet i gjallë e të thoshte ndonjë fjalë, mos i kanë pëlqyer standartet, mos i kanë pëlqyer rregullat? Pa të bëj njëherë tutje andej nga partnerët tanë ndërkombëtarë! Që po çalon diçka në Partinë Demokratike, ka më shumë mundësi, po se çfarë, këtë s’e them dot me siguri, ama hunda po më ndien diçka. Por unë kam një parandjenjë, që duhet të rrijë Berisha, se “po”-në po kërkon… Ai do punojë, kurse ca i thonë “jo, boll punove, ik çlodhu tani”. Ore tjetri do punë, ç’të keqe ka? Ndaj ishalla bëhet përsëri kryeministër, që të bëjnë si kanë bërë, se edhe ne u mësuam tani, nuk do durojmë dot pa të… Zotin Basha s’mund ta akuzojmë si profil i politikës korruptuese, por që është miku i miqësisë enigmatikë të Berishës është opinioni i saktë.

Megjithatë kjo “modë demokracie” nuk është pasthirrmë pataksie, se “sheshet” tuaja u dukën sheshit kudo… Është e çuditshme që Partia Demokratike asnjëherë nuk ka patur kryetar partie Bashën, por dikë tjetër dhe këtë e dinë të gjithë. Por në opinionin tonë nuk ndikon ky fakt, se pushtet paralel kur “vezën e kanë në b…” kërkojnë të jenë “pehlivanë” përmbi “pehlivanë”. Të gjithëve na kujtohet, kur zoti Berisha nga foltorja e Parlamentit lexoi një ditar që ua shpifi jo vetëm ne shqiptarëve por botës mbarë, i cili tregoi zellin prej urithi “gërmo, xhaxha urith, gërmo siç thotë Shekspiri” për të hapur llogonë nga ku derdhen gjithfarë gjirizesh, urrejtje, shpifje, zili, mediokritetesh. Berisha, duke qenë gramafon i vjetër që përdor vetëm pllaka të përdorura nga të kohës së vet, e redukton alternativën e Partisë Demokratike vetëm tek zurnatë e daullet kush e kush të zhurmojë më shumë. Është si puna e bletës dhe brumbullit. Bleta rend gjithë ditën pa zhurmë për të mbushur ato këmbë të lumë me polen, nga i cili del mjaltë. Rend dhe zhurmon edhe brumbulli për ti mbushur ato këmbë dreqi me bajga, me të cilat bën ca toptha me të vërtet estetike dhe të harmonizuar. Çështja në këtë mes është të na shpjegoni, sipas Frojdit, “përse pëlqeni punën e brumbullit e jo të bletës”? Në këto kushte, ruajtja e integritetit të opozitës është pasuria më e çmuar politike për shoqërinë shqiptare.

Fushata që zhvilloi Halim Kosova në Tiranë dhe z. Alibeaj në Fier u përgëzua nga të gjithë shqiptarët dhe është modeli më i mirë i Partisë Demokratike në këto zgjedhje. Të jesh një udhëheqës partie, kjo nuk është pronë e atij që ngrehet dhe mburret nëpër fushata elektoralë, qe të heq trutë e kokës nga idiotësitë dhe demagogjitë, i cili shet badihava për shkak të postit që mban, që ka uzurpuar djallëzisht. Politikanë të zotë ka Partia Demokratike në qoftë se Basha do pastrojë Partinë Demokratike nga “drutë e deformuar që prishin gjithë stivën”, që të kini rezultate pozitive në të ardhmen, në betejat elektorale, përpara këtij koalicioni solid.

Marrë nga “Sot”, 28 korrik 2015