Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka reaguar me ironi për gjendjen e Pediatrisë në Spitalin e Lushnjës, duke publikuar në rrjetet sociale pamjet ku dallohet lagështirë dhe rrjedhje uji në ambientet e pavionit.
Në postimin e tij, Korreshi ironizon situatën duke u bërë thirrje qytetarëve që, sipas tij, të tregojnë kujdes kur vizitojnë Pediatrinë dhe të marrin edhe çadër me vete. “Kujdes kur të shkoni në Pediatrinë e Spitalit në Lushnjë. Ju lutem merrni dhe ombrellë me vete”, shkruan deputeti, duke e shoqëruar reagimin me pamje nga ambientet e brendshme të spitalit.
Më tej, ai vijon ironinë duke iu referuar asaj që e quan “reformë të thellë në shëndetësi”, duke paralajmëruar për rrezikun e rrëshqitjes në shkallë, pasi pavioni i Pediatrisë ndodhet në katin e katërt. Sipas Korreshit, lagështira dhe kushtet e krijuara përbëjnë rrezik për pacientët, prindërit dhe stafin mjekësor.





