VLORE, 27 prill 2013– Kryetari i PS-së Edi Rama, deklaroi nga Vlora se Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është e konstrolluar politikisht dhe se është abuzuar me kthimin e pronës në bregdet si në të gjithë vendin.Partia Socialiste do të rishikojë titujt e pronësisë në të gjithë vijën bregdetare.
"Ne duam të ngrejmë menjëherë Agjencinë Kombëtare të Bregdetit. Do të jetë një strukturë e cila do të merret në mënyrë ekskluzive me planifikimin hapësinor dhe me mbrojtjen e territorit në të gjithë bregdetin shqiptar. Ne do të fillojmë projektin dhe do të ndërtojmë "korridorin e kaltër" për të bërë lidhjen e infrastrukturës tonë me infrastrukturën rajonale të bregdetit",-tha Rama.
Ai premtoi se pas 23 qershorit, PS ka një strategji të qartë për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, duke veçuar koridorin e kaltër, një projekt i detajuar rajonal i zhvillimit të turizmit.
"Ne do të zgjidhim çështjen e pronësisë përgjatë gjithë bregdetit dhe nuk do të lejojmë që bregdeti shqiptar të mbahet i pushtuar me letra të falsifikuara, me procese gjyqësore të manipuluara nga një Agjenci Kthimi dhe Kompensimi komplet e kontrolluar politikisht që ka kthyer në pronarë njerëz që e kanë parë detin për herë të parë, në një kohë që gjyshërit e stërgjyshërit e tyre s'e kanë parë kurrë",-theksoi ai.
Në konferencën rajonale për programin në Vlorë, kreu i PS-së përsëriti akuzat për qeverinë Berisha, lidhur me taksat, papunësinë, abuzimet me rrugët, korrupsionin etj. Ai përsëriti gjithashtu premtimet e pasqyruara në programin socialist për një rilindje shqiptare.





