Vonesat në zbardhjen e vendimeve si për çështjet civile ashtu edhe për ato penale nga ana e gjykatës së Durrësit pranohen nga kreu i dhomës së avokatisë në Durrës, Skënder Korriku. Sipas Korrikut këto vonesa janë shqetësuese për avokatët, pasi bëhen pengesë për respektimin e afateve ligjore kur çështjet ankimohen në Gjykatën e Apelit apo në Gjykatën e Lartë. Gjithsesi sipas tij nuk bëhet fjalë për vonesa si në ajo e rastit Xhakja, kur një vendim deshi 20 muaj për t’u zbardhur, por për vonesa që nuk respektojnë afatin 10 ditor të vënë në dispozicion për ankimimet. Duke u ndalur tek ligji i miratuar së fundmi në parlament për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë, i miratuar me votat e mazhorancës dhe opozitës, Korriku deklaron se nuk beson se ndryshimi kushtetues do të ndikojë në dënimin e më shumë zyrtarëve të korruptuar. Kjo sipas tij vjen për arsye se dhe kur zyrtarë të lartë kanë përfunduar para togave të zeza ose janë shpallur të pafajshëm ose çështjet janë pushuar për mos zbatim të procedurave ligjore. “Tek ne është krijuar kultura e mos ndëshkimit dhe mos dënimit të zyrtarëve të niveleve të larta”,- thotë Korriku.
Zoti Korriku, parlamenti votoi për heqjen e imunitetit. Çfarë nënkupton ky ligj për sistemin e drejtësisë dhe cili pritet të jetë impakti që do të sjellë ky ligj në rradhët e togave të zeza?
Ndryshimi i bërë në Kushtetutë nga Parlamenti për heqjen dhe kufizimin e imunitetit për deputetët dhe gjyqtarët, aq shumë i debatuar kohët e fundit mendoj se duhet vlerësuar sepse me këtë ndryshim të bërë respektohet parimi themelor i barazisë përpara ligjit për të gjithë shtetasit. Po kështu, ky ndryshim përmirëson ndjeshëm përpjekjet e përbashkëta të sistemit të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit, i cili në nivelet e larta, rrallë është ndjekur apo është ndëshkuar duke bërë që zyrtarët e lartë publikë dhe biznesmenë të rëndësishëm të gëzonin imunitet pothuajse të plotë.
Përsa i përket impaktit që do sjellë në rradhët e togave te zeza ky ndryshim nuk shoh se do të ketë ndonjë efekt të madh, kjo për faktin se para togave të zeza, edhe përpara këtij ndryshimi në ligj, kanë qenë për gjykim ministra, zv/ministra e zyrtarë të lartë dhe ajo që ka rënë në sy ka qenë fakti se në disa raste është vendosur pushimi i çështjes për moszbatim të procedurave ligjore, në disa raste janë dhënë pafajësi apo janë pushuar çështjet dhe në raste të rralla janë dënuar me dënime të lehta, pasi është bërë ndryshimi i akuzave gjatë gjykimit të këtyre çështjeve.
Kjo ka sjellë si pasojë krijimin e kulturës së mos ndëshkimit dhe të mos dënimit jo vetëm të personave zyrtarë të niveleve të larta që kanë qenë të veshur me imunitet, por edhe të personave të niveleve të dyta e të zakonshme të Administratës shtetërore që kanë qenë pa imunitet.
Duhet të na tërheqë vëmendjen fakti se dy dispozita që ndodhen në Kodin Penal, neni 134 (vjedhje e pasurisë) dhe neni 135(vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën) kanë mbetur në Kodin Penal dispozita “të vdekura” , sepse gjatë këtyre 20 viteve, në një kohë që flitet si nga shtypi ashtu dhe nga opinioni publik, të vërtetura këto nga kontrollet e ushtruara nga K.L.SH dhe auditet e brendshme të institucioneve, se pasuria, pronë publike është duke u vjedhur, nuk rezulton që për këto dy vepra penale të jenë vënë para përgjegjësisë penale zyrtarë të niveleve të larta, të cilët kanë patur imunitet, por as edhe persona zyrtarë të niveleve më të ulta të administratës shtetërore që nuk kanë imunitet.
Ky fenomen duhet t´i tërheqë vëmendjen institucioneve përkatëse që kanë për detyrë të zhvillojnë luftën kundër vjedhjes së pronës shtetërore dhe publike nga ana e punonjësve të administratës shtetërore dhe jo të merren me fjalë “se po luftohet korrupsioni” duke proçeduar për këtë qëllim zyrtarë të niveleve të dyta dhe të treta e duke heshtur për vjedhjet që kryhen ndaj pronës shtetërore e publike nga persona zyrtarë të Administratës shtetërore të të gjitha niveleve, për të cilët në këto 20 vjet, në shkallë vendi, çështjet penale të filluara janë shumë të pakta.
Si kryetar i dhomës së avokatisë Durrës, mund të na thoni cilat janë shqetësimet më të shpeshta që ngrenë avokatët në raportet e tyre me gjyqtarët?
Në ushtrimin e profesionit të tyre avokatët kanë patur vështirësi, pasi nuk u janë krijuar kushtet për realizimin e së drejtës së mbrojtjes dhe të informimit sepse nuk ka ambiente të veçantë brenda gjykatës për studimin e dosjeve gjyqësore; nuk ka ambiente të posaçme të qëndrimit si dhe të kushteve të punës për avokatët në ambientet e gjykatës; nuk ka një orar të veçantë veprimesh për kryerje të shërbimeve e nevojave që kanë avokatët nga ana e strukturave të Administratës gjyqësore, por shërbimet për avokatët bëhen në të njëjtin orar që i bëhen popullit, duke qëndruar në rradhë dhe duke humbur kohë.
Heqja e imunitetit nuk mendoj se do të ketë ndonjë efekt të madh sepse para togave të zeza kanë qenë për gjykim ministra, zv/ministra e zyrtarë të lartë, por nuk janë dënuar. Kjo ka sjellë si pasojë krijimin e kulturës së mos ndëshkimit dhe të mos dënimit jo vetëm të personave zyrtarë të niveleve të larta, por edhe të personave të niveleve të dyta e të zakonshme të administratës shtetërore që kanë qenë pa imunitet
Gjithashtu ka patur raste të vonesave në zbardhjen e vendimeve gjyqësore, qofshin këto vendime për çështje civile apo penale, të cilat kanë krijuar probleme në bërjen ose në mos bërjen e ankimeve në respektim të afateve ligjore ose për shkak të kalimit të këtyre afateve. Mos zbardhja e vendimeve gjyqësore në afatet e duhura në disa raste ka sjellë si pasojë mos respektimin e afateve ligjore të dërgimit të çështjeve të ankimuara në Gjykatën e Apelit ose në Gjykatën e Lartë.
Me cilësinë e Kryetarit të Dhomës së Avokatëve të Rrethit Durrës, për këto probleme dhe të tjera të ngritura nga avokatët kam reaguar duke i trajtuar në materiale me shkrim që i janë dërguar Kryetarit të Gjykatës së Rrethit apo i kam ngritur edhe në analizën vjetore të punës në gjykatë, ku unë kam qenë i ftuar dhe të pranishëm kanë qenë përfaqësues nga K.L.D. dhe nga Ministria e Drejtësisë, por këto probleme vazhdojnë të jenë të pazgjidhura akoma deri më sot. Ato mbeten probleme shqetësuese që kërkojmë t´u jepet zgjidhje.
Në rastin e çështjes Xhakja një vendim gjyqësor u zbardh pas 20 muajsh. A ekzistojnë në gjykatën e Durrësit raste të tjera të ngjashme dhe a i keni denoncuar ato?
Rasti ”Xhakja” u mësua nëpërmjet shtypit, pas vrasjes së komisarit të Policisë së Shijakut, që vendimi i dhënë në ngarkim të tij kishte rreth 20 muaj pa u zbardhur. Nëse ekzistojnë të tilla raste në Gjykatën e rrethit gjyqësor Durrës, unë nuk jam në dijeni, pasi nuk kam patur ndonjë informacion.
Shpesh qytetarët e thjeshtë ankohen për zvarritjen e proçeseve gjyqësore nga disa muaj deri në disa vite, praktikë kjo që vihet re më së shumti në gjyqet e pronësisë. Pse shkaktohen këto vonesa?
Në përgjithësi shtyrjet e seancave gjyqësore kanë ndodhur për arsye të përligjura që janë: palët pjesëmarrëse në gjykim nuk paraqiten për shkak të mos marrjes dijeni sepse ka munguar sistemi i adresave ose adresat kanë qenë të gabuara; personat që thirren nuk marrin dijeni, sepse gjatë kësaj periudhe kanë ndryshuar vendbanimet e tyre; personat që thirren nuk paraqiten për arsye shëndetësore, si dhe nuk përjashtohen rastet që seancat shtyhen për arsye shëndetësore të gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve etj.
Në disa raste seancat shtyhen edhe për mungesë të avokatëve, sepse ndodh që në të njëjtën datë dhe orë kanë patur gjykime në gjykatën e Apelit, në Gjykatën e Lartë ose jashtë rrethit, përplasje këto që janë krijuar për shkak të planifikimit jo të mirë të punës së palëve pjesëmarrëse në gjykim.
Seancat janë shtyrë gjithashtu se ka ndodhur dhe ndodh që palët në proces të marrin prova shkresore pranë organeve të Administratës shtetërore, sepse ato nuk i japin ose i japin me vonesë, duke shkelur kështu detyrimet ligjore që kanë këto organe për t’iu përgjigjur kërkesave të palëve në proceset civile ose penale për provat shkresore që atyre u kërkohen për nevoja gjyqësore, sidomos kjo për çështje që kanë të bëjnë me pronësinë.
Nuk përjashtohen edhe rastet që shtyrja e seancave gjyqësore është bërë edhe për shkak të mungesës së avokatëve pa arsye të përligjura. Për këto raste, mbi bazën e informacionit me shkrim të dërguar nga ana e gjyqtarëve, nga ana jonë si Dhomë e Avokatisë janë masat e duhura duke i tërhequr vëmendjen avokatëve përkatës për t’u paraqitur në seancën e shtyrë për shkak të mos paraqitjes së tij, ose i kemi zëvendësuar duke caktuar avokatë kryesisht. Në ato raste që mosparaqitja në seancë pa shkaqe të arsyeshme ka qenë me përsëritje ndaj këtyre avokatëve në bazë të ligjit është kërkuar të fillohet procedimi disiplinor.
Me ndryshimet që i janë bërë ligjit “Mbi Avokatinë” ditët e fundit, “për marrjen e masave disiplinore në ngarkim të atyre avokatëve që nuk paraqiten në seancë gjyqësore pa arsye të përligjura” mendojmë që raste të tilla do të minimizohen dhe nuk do të ketë shtyrje të seancave gjyqësore për shkak të mungesës së avokatëve pa shkaqe të përligjura.
Shqetësimet e avokatëve
. Nuk u janë krijuar kushtet për realizimin e së drejtës së mbrojtjes dhe të informimit sepse nuk ka ambiente të veçantë brenda gjykatës për studimin e dosjeve gjyqësore
. Nuk ka ambiente të posaçme të qëndrimit si dhe të kushteve të punës për avokatët në ambientet e gjykatës
. Nuk ka një orar të veçantë veprimesh për kryerje të shërbimeve e nevojave që kanë avokatët nga ana e strukturave të Administratës gjyqësore
. Ka patur raste të vonesave në zbardhjen e vendimeve gjyqësore, qofshin këto vendime për çështje civile apo penale