Ish-drejtori i Burgjeve, që u dorëhoq nga detyra pak ditë më parë, dyshohet se është i përfshirë në korrupsionin me tenderët e ushqimeve, për të cilat u arrestua zv/drejtori i burgjeve Iljaz Labi.
Një seri bisedash të përgjuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, kanë ngritur dyshime të forta për implikimin në aferat korruptive në tenderët e ushqimit në burgje, dhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Artur Zoto, shkruan sot “Shqiptarja.com”.
Në dosjen hetimore, ndodhen dhjetëra procesverbale me biseda të transkriptuara, të cilat tregojnë se drejtori Zoto, tashmë i dorëhequr ka qenë në dijeni të këtyre aferave korruptive, dhe se Iljaz Labi nuk bënte asnjë hap, pa miratimin e Zotos.
Ndaj këtij të fundit prokuroria nuk lëshoi asnjë urdhër-arresti. Por dy ditë pas operacionit të arrestimit të zv/ndësit të tij Iljaz Labi dhe katër biznesmenëve Elidjan Laskaj, Ylber Kalaja, Shemsi Sinani e Nexhmi Balla, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve ka dhënë dorëheqjen, duke ja justifikuar largimin ministrit të Drejtësisë Manjani nëpërmjet një letre, ku i shkruante se ishin motivet personale dhe familjare të tij, që e çonin në largimin nga kjo detyrë.
Por në një seri bisedash të përgjuara, të cilat “Shqiptarja.com” i disponon mes të tjerave pasqyrohet dhe një bisedë mes biznesmenëve Nexhmi Balla dhe Elidjan Laskaj, ku Nexhmiu e pyet Elidjanin se çfarë kishte bërë.
Nga ana tjetër Elidjani i thotë se sa kishte dalë nga Drejtoria e Burgjeve. “Ai”, i kishte thënë se do ta çonte lart dhe do t’i kthente një përgjigje.





