10 qershor 2015 – Gjykata e Vlorës ka vendosur masën arrest me burg për katër punonjës të spitalit psikiatrik. Hetimet e prokurorisë kanë nisur pas denoncimit në emisionin “Fiks Fare”.
Dy mjeket, D. B., dhe Laureta Selimaj, dhe infermierët Lindita Kanushi dhe Arsen Kadënaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë lëshuar dokumente mjekësore dhe leje drejtimi për në KMCAP (Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë), kundrejt pagesave të parregullta.
Sipas burimeve zyrtare,ekzistojnë dyshime të arsyeshme se shtetaset D.B., Laureta Selimaj, me detyrë mjeke pranë Spitalit Psikiatrik Vlorë, si dhe shtetasit Lindita Kanushi dhe Arsen Kadënaj, me detyrë infermierë pranë Spitalit Psikiatrik Vlorë, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë kërkuar dhe kanë marrë nga shtetasi E.T. një shumë prej 50.000 lekësh, me qëllim lëshimin e dokumentit mjekësor, fletë drejtimi për në K.M.C.A.P për vëllanë e tij, shtetasin A. T.
Ndaj katër personave rëndon akuza e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, të kryer në bashkëpunim. Vendimi i gjykatës u ekzekutua ditën e sotme nga policia e Vlorës. Ndërsa mjekja D. B., është shpallur në kërkim.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/