Pas reagimit të fortë të Xhami të Tiranës për posterat me gishtin e mesit, edhe komuniteti i krishterë në Shqipëri ka dalë kundër Belind Këlliçit.

Përmes një deklarate publike, Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë thekson se fëmijët nuk kanë nevojë për shembuj banalitetesh, prandaj nuk mund të jetë e pranueshme normalizimi i banaliteteve në hapësirat publike të qytetit tonë, aq më tepër nga dikush që dëshiron të jetë qytetari i parë i tij.

Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë i vë në dukje kandidatit Këlliçi se sjellja e tij është e papranueshme dhe nuk është në përputhje me etikën qytetare.

Postimi i plotë:

Korrupsioni nuk luftohet me banalitet! Ndërtimi i vlerave qytetare përfshin respektimin e njerëzve duke mos e katandisur debatin në sharje banale.

Fëmijët tanë nuk kanë nevojë për shembuj banalitetesh, prandaj nuk mund të jetë e pranueshme normalizimi i banaliteteve në hapësirat publike të qytetit tonë, aq më tepër nga dikush që dëshiron të jetë qytetari i parë i tij.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ka bërë një veprim të papranueshëm, duke treguar gishtin e mesit në ambjente publike ku kalojnë familjarë dhe fëmijë. Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë i vë në dukje kandidatit të saj se sjellja e tij është e papranueshme dhe nuk është në përputhje me etikën qytetare.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje KQZ-së të ndërhyjë në kohë për të parandaluar ndikimin negativ të sjelljes së kandidatit në imazhin e qytetit dhe në integritetin e zgjedhjeve.

Ndërkohë, ne vazhdojmë të lutemi për procesin zgjedhor të 14 Majit e për të gjithë kandidatët që janë duke garuar, të mos veprojnë nën trysninë e fushatës, por të jenë të ndërgjegjshëm, ku përmes kandididimit të përçojnë vlera dhe sjellje nderuese për gjithë familjen dhe respektin për qytetarët e këtij qyteti/vendi!