Ndërsa gjyqtarja e Gjykatës së Lartë që u përfol ditët e fundit për korrupsion u arratis me familjen nga Shqipëria, për t’u kthyer veç sot e vetme, në burg janë tre personazhet e tjera, të akuzuar për korrupsion aktiv.
Ata akuzohen për dhënie ryshfeti prej 50 mijë eurosh gjyqtares Majlinda Andrea, me qëllim përfitimin e pronës prej 40 hektarësh në Butrint.
”Nga aktet hetimore të deritanishme rezulton se i dyshuari Ilia Çabiri nga Saranda, në cilësinë e përfaqësuesit të një familjeje ish-pronare, ka zhvilluar disa procese gjyqësore për njohjen e një sipërfaqe toke rreth 40 hektarë, në zonën e Butrintit”, bëri të ditur Prokuroria e Përgjithshme pas arrestimit të 59-vjeçarit dhe dy të akuzuarve të tjerë.
Çabiri, i cili sot shfaqi probleme shendetësore dhe u dërgua ne spital, njihet në Sarandë si pronar i një hoteli 2-katësh në afërsi të ish-”Turizmit”. Ai mësohet se ka lidhje krushqie me Eleni Linon, 62-vjeçaren me banim në Gjirokastër, shkruan Panorama.
Kjo e fundit ka një dyqan në pronësi të saj në këtë qytet dhe sipas Policisë së Gjirokastrës është ndaluar mbrëmjen e së shtunës në banesën e saj dhe pas disa orësh është bërë transferimi drejt Tiranës, për llogari të hetimeve.
Mister mbetet se si është arritur lidhja mes Petraq Dashit, tregtarit të kafes në Fier me Çabirin dhe Linon.
Nga të dhënat e deritanishme rezulton se dy krushqit i kanë dorëzuar në formë huaje një shumë prej 50 mijë eurosh Petraq Dashit, duke nënshkruar një kontratë fiktive.
Mendohet se njohja e Dashit me burrin e gjyqtares Andrea të jetë bërë shkas që tregtari i shitjes me pakicë dhe me shumicë i kafes të jetë sekseri.
Pritet që në gjykatë, ku do të bëhet njohja e masës së sigurisë, të mësohen dëshmitë e tre të arrestuarve.





