Kosovë, 6 maj 2014 – Kosova di si të kujdeset për sportistët e saj elitarë. Nëse në Shqipëri, medalistët enden dyerve të institucioneve për të kërkuar mbështetje financiare për arritjet e tyre, kjo nuk ndodh në vendin fqinjë ku sporti ka vëmendjen e duhur. Qeveria i ka dorëzuar xhudistes Majlinda Kelmendi çekun prej 68 mijë eurosh për medaljen e artë të fituar në Europianin e zhvilluar në Francë, por edhe për vendin e parë në Botëror.
Në buxhetin e parashikuar për këtë sport, 34 mijë euro i janë dorëzuar trajnerit të xhudistes, Driton Kuka, duke e çuar shumën e derdhur nga shteti për këtë sport gjatë 3 viteve të fundit në 350 mijë euro. Shuma e përfituar nga Kelmendi llogaritet në bazë të rregullores për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate të larta në garat ndërkombëtare.
Sipas përllogaritjes, për medaljen e artë të fituar në Kampionatin Botëror të vitit të kaluar, Kelmendi mori 40 mijë euro nga ministria e udhëhequr nga Memli Krasniqi, ndërsa për europianët e Francës dhe Hungarisë përfitoi në total 28 mijë euro. Vitet e fundit, qeveria kosovare ka treguar një kujdes të madh ndaj sportit elitar në vend, pasi ekzekutivi i Prishtinës e konsideron sportin si një prej ambasadorëve më të mëdhenj të vendit në mbarë botën.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





