Republika e Kosovës vazhdon ta fuqizojë subjektivitetin e saj ndërkombëtarë në Organizata të ndryshme rajonale, evropiane dhe botërore.
Në sesionin e 44-të të mbledhjes plenare të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, që po mbahet në Kuebek të Kanadasë, më 9 dhe 10 Korrik, 2018, Kuvendi i Republikës së Kosovës u anëtarësua në këtë organizatë me mbështetje konsensuale nga të gjithë anëtarët e pranishëm, bën të ditur MPJ, nëpërmjet një njoftimi.
"Të pranishëm nga delegacioni kosovarë ishin, znj. Flora Brovina, deputete në Kuvendin e Kosovës dhe znj. Tefta Kelmendi, përfaqësuese e Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.
Ky anëtarësim është rezultat i një pune dy vjeçare e udhëhequr nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Kuvendi i Kosovës, me qëllim të një mobilizimi edhe më të fuqishëm të institucioneve të Kosovës në favor të Frankofonisë", thekson njoftimi.
Kjo organizatë përbëhet nga 52 anëtarë me të drejta të plota, 14 anëtarë asociues dhe 17 vëzhgues, dhe synon angazhimin e Parlamenteve në çështje politike, por edhe bashkëpunim ndër-parlamentar në fushat e arsimit, kulturës, barazisë gjinore, inovacionit dhe zhvillimit ekonomik.
Ky anëtarësim i Kuvendit të Kosovës në APF është në linjë me angazhimin dhe punën e Institucioneve të Kosovës drejt një bashkëpunimi më të fuqishëm me vendet frankofone në botë.
Që nga viti 2014, Parlamenti i Kosovës ka qenë anëtar vëzhgues i këtij institucioni.