KOSOVE – Kosova dhe Serbia filluan sot zbatimin në praktikë të marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufirit, marrëveshje kjo që u arrit gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Në dy vendkalime kufitare, në Merdarë dhe në Jarinë, pjesëtarë të policisë serbe, asaj të Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian, të shoqëruar edhe nga doganierët filluan sot pa ndonjë problem zbatimin e marrëveshjes.
Në Jarinë njëkohësisht po vazhdojnë punimet për ngritjen e mjediseve të punës, që ishin vonuar për shkak të protestave të përfaqësuesve serbë në veri, të cilët siç thonë, druajnë se marrëveshja nënkupton njohjen e kufirit të Kosovës me Serbinë.
Të premten ata hoqën dorë nga protestat, pasi që siç thanë, kanë marrë garanci nga qeveria e Serbisë se në vendkalimet kufitare në veri, nuk do të paguhet dogana për mallrat e destinuara për veriun e Kosovës dhe njwkohwsisht do të vazhdojë përdorimi i dokumenteve të lëshuara nga Republika e Serbisë.
Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces të ri bisedimesh politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe me kwtë proces Serbisë i është kushtëzuar data e fillimit të negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës, ajo e fillimit të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.