Ministrat e Mbrojtjes të Kosovës dhe Turqisë nënshkruan në Prishtinë një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës, marrëveshja parasheh bashkëpunimin midis dy institucioneve në fushat e interesit të përbashkët.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Rrustem Berisha, dhe ai i Turqisë, Hulusi Akar konfirmuan bashkëpunimin më të madh ushtarak ndërmjet dy vendeve, thuhet në njoftim. Ministri turk është takuar edhe më kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Sipas një komunikate nga zyra e kryeministrit, në takim është diskutuar për raportet dypalëshe dhe përmirësimin e bashkëpunimit midis dy vendeve.
Ministri turk nuk është prononcuar pas takimeve. Mirëpo agjencia turke e lajmeve, raportoi se Akar ka thënë se “pengesa Feto duhet të hiqet sa më shpejt që është e mundur”.Feto është organizata e klerikut mysliman, Fetullah Gylen, të cilin Turqia e akuzon për terrorizëm dhe tentim grusht-shteti në vitin 2016.
Më 29 Mars 2018, me kërkesë të autoriteteve turke, organet e sigurisë në Kosovë kishin arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, ndërsa i dëbuari i gjashtë është mjek. Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.
Për gjashtë shtetasit turq, Ankaraja dyshon se janë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen. Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grushtshtet në Turqi në vitin 2016.
Ministri Akar ishte të mërkurën në Shkup të Maqedonisë Veriore ku kërkoi që institucionet e atij vendi të marrin masa konkrete ndaj personave të lidhur me këtë organizatë./REL