Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hapur takimin e 15-të të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, në të cilin shprehu përkushtimin e qeverisë në hartimin e politikave për integrim në tregun rajonal të energjisë elektrike.

Me këtë rast, kryeministri tha se janë të angazhuar maksimalisht në përafrim të legjislacionit me direktivat e Bashkimit Evropian dhe për zbatimin në praktikë, duke kërkuar për këtë edhe mbështetjen e Komisionit Evropian.

Haradinaj në këtë takim njoftoi po ashtu edhe për arritjen e marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, për të cilin tha se vlera e këtij investimi është 1 miliard e 300 milionë euro, dhe me këtë do të sigurohet një situatë e qëndrueshme energjetike. 

“Sfidave aktuale me të cilat ballafaqohet Kosova, duke qenë e kufizuar në menaxhimin e rrjedhave të energjisë në tregun rajonal dhe mos funksionalizimit të linjës 400 kilovat Kosovë – Shqipëri, duhet t’i gjejmë zgjidhje, me kontributin e të gjithë neve së bashku, dhe besoj se për këtë do ta marrim përkrahjen e të gjithëve. Përafrimi i direktivave të BE-së me legjislacionin e palëve kontraktuese është një hap i domosdoshëm. Implementimi në praktikë kërkon angazhim shumë herë më të madh. Për këtë jemi të vetëdijshëm dhe jemi te angazhuar maksimalisht, megjithatë edhe më tutje ne kërkojmë mbështetjen tuaj, me theks të veçantë mbështetjen e Komisionit Evropian”, tha Haradinaj.