“Kosova është Amerikë”, kështu është shprehur kryeministri Edi Rama në një intervistë për Berat Buzhalën. Rama ka mohuar të ketë pasur komunikime me kryeministrin Kurti pas njoftimit për draftin, pasi kështu e drejtë dhe në raport me aleatët.
Ky draft, sipas kryeministrit Rama nuk është një konspiracion mes shqiptarësh, por një propozim nga shteti shqiptar, në një linjë me SHBA-në, BE-në, Gjermaninë dhe Francën.
Sa për ndonjë luftë të mundshme, kryeministri nuk mund “të vejë dorën në zjarr”, por ka thënë që nuk e do diçka të tillë. Megjithatë dhe nëse ekziston kjo mundësi për një luftë me Serbinë, Kosova është e mbështetur nga Amerika ka thënë Rama.
B.B: A shkruheni me Kurtin, a keni komunikim personal?
Rama: Shkruhemi, po.
B.B: Pas Draftit a keni komunikuar me njëri-tjetrin?
Rama: Jo nuk kemi komunikuar. Duhet të jem shumë “fair” edhe me partnerët. Ky nuk është një konspiracion i shqiptarëve që ne po e bëjmë bashkë dhe unë po dërgoj, ky është një kontribut i Shqipërisë. Ne jemi vëllezër, por jemi dy shtete të ndryshme. Shqipëria ka shtetin e saj dhe Kosova të vetin. Shqipëria në këtë rast është tërësisht 100% në një linjë me SHBA-në, BE, Francën dhe Gjermaninë, në qëndrimin ndaj asaj që po bëjnë autoritetet e Kosovës. Shqipëria nuk mund ta japë kontributin e saj përveç se duke qenë etike në raport me aleatët e saj. Nuk mundet që ne të bëjmë një rol “hidh gurin dhe fshih dorën” në sensin që t’i konsultojmë këto gjëra më parë dhe të bëjmë sikur si kemi konsultuar.
B.B: A mund të ketë luftë në Kosovë?
Rama: Kjo është gjëja e fundit që unë mund të imagjinoj, ka një fjalë që thotë “kurrë mos thuaj kurrë”, por unë dua të them kurrë për faktin se kush do luftoj, me kë? Do luftoj Serbia me Amerikën? Kosova është Amerikë, për ata që e kanë harruar. Kosova nuk është krejtësisht sovrane për sa kohë ka një ushtri të tërë të huaj në territorin e saj dhe për sa kohë nuk është e njohur ndërkombëtarisht nga të gjithë. Kështu që ça do bëj Serbia, do luftojë Amerikën?!