Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, policia nisi heqjen e kamerave që, siç beson Prishtina zyrtare, janë vendosur ilegalisht në vende publike.
Në vetëm dy prej tyre në veri, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok, u hoqën mbi 50 kamera vëzhguese ditëve të fundit. Në territorin e qytetit të Mitrovicës së Veriut, i cili shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 11 kilometrash katrorë, u hoqën 38 kamera, ndërsa në Zubin Potok 13.
“Policia nuk kishte njohuri për këto kamera dhe për këtë arsye ato u hoqën”, tha zëvendësdrejtori i policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, për Radion Evropa e Lirë.
Ai paralajmëroi se autoritetet e Kosovës do të vendosin kamerat e tyre, të cilat do të kontrollohen ekskluzivisht nga Policia e Kosovës.
Kamerat që u hoqën, janë prodhim i Kinës, por Elshani nuk mundi të specifikonte se për çfarë modeli bëhet fjalë. Sipas ligjit në Kosovë, video-vëzhgimin në hapësira publike ka të drejtë ta instalojë dhe kontrollojë vetëm Policia e Kosovës. Përveç në komunat në veri, kamera të vëzhgimit “pa pronarë” u hoqën edhe në Kllokot, Partesh dhe Ranillug, komuna me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër.
Në tetor të vitit të kaluar, Radio Evropa e Lirë shkroi për këto kamera dhe nëse krahasohet fotografia e video-vëzhgimit të atëhershëm nga Ranillugu dhe Parteshi me atë nga Zubin Potoku që REL-it ia dërgoi Policia e Kosovës tani, mund të konstatohet se bëhet fjalë për një model gati identik.
Kush e instaloi kamerat dhe pse?
Elshani thotë se ende nuk është përcaktuar saktësisht se kush dhe për çfarë qëllimi e ka instaluar video-vëzhgimin. Në korrik të vitit 2022, Policia e Kosovës konfiskoi kamera të vëzhgimit edhe në Shtërpcë, komunë me shumicë serbe në jug të Ibrit, për shkak të dyshimeve se ishin instaluar nga strukturat paralele serbe.
Vëzhgimi me video në zonat me shumicë serbe në Kosovë ishte, gjithashtu, subjekt i auditimit nga Agjencia Kosovare për Informim dhe Privatësi, gjatë vitit 2022. Kjo agjenci nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se a është përcaktuar se kush dhe pse i ka instaluar kamerat.
Agjencia, më herët, konstatoi se në disa komuna të Kosovës, përfshirë Prishtinën, Graçanicën, Ranillugun, Prizrenin, etj., mbikëqyrja me video ishte prokuruar dhe instaluar nga autoritetet lokale, por ajo urdhëroi që vëzhgimi t’u lihej stacioneve policore, ashtu siç parashihet me ligj.
Ligji për Policinë në Kosovë thotë se “policia është e autorizuar të kryejë mbikëqyrje parandaluese të vendeve publike, me përdorimin e pajisjeve për incizime video-akustike dhe pajisjeve fotografike për mbikëqyrjen e vendeve publike, ku në të kaluarën janë kryer shpesh vepra penale”.
Policia, gjithashtu, ka të drejtë t’i vëzhgojë zonat publike nëse ka “arsye të bazuara për të besuar se vëzhgimi publik e zvogëlon rrezikun e kryerjes së krimeve dhe e përmirëson sigurinë publike”.
Mbledhjen e informacioneve për video-vëzhgimin, për të cilin nuk dihet se kush e mbikëqyr, vitin e kaluar e nisi edhe Prokuroria e Shtetit të Kosovës, por, deri në publikimin e këtij artikulli, ky institucion nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se çfarë informacionesh ka arritur të marrë.
Në fund të vitit 2021, REL-i raportoi se Serbia, përmes institucioneve të saj në Kosovë, ka blerë sistem video-vëzhgimi të kompanisë kineze Dahua – e cila ishte nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara, të destinuar për shkollat në 12 komuna të Kosovës.
Kompanitë kineze të video-mbikëqyrjes, Dahua dhe HikVision, janë në listën e zezë të SHBA-së për shkak të lidhjeve të tyre me fushatën e shtypjes së ujgurëve në provincën Ksinjiang të Kinës.
Portali beogradas Insajder.net shkroi në vitin 2017 se Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, më 2012, ka aprovuar dhe ka paguar paraprakisht instalimin e sistemit të vëzhgimit me video në Komunën e Zveçanit.
Në atë kohë, shef i Zyrës për Kosovën ishte Aleksandar Vulin, i cili më vonë u bë ministër i Mbrojtjes i Serbisë, i Punëve të Brendshme dhe pastaj drejtor i Agjencisë Informative të Sigurisë (BIA).
Kjo blerje, për të cilën janë ndarë rreth 900 mijë euro nga buxheti i Serbisë, është shënuar si “rreptësisht konfidenciale”.
A e dinë qytetarët se kush i vëzhgon?
Bobani nga Mitrovica e Veriut nuk e di se kush i ka instaluar apo kontrolluar kamerat e vëzhgimit në qytetin e tij, por kujton se ato u bënë të rëndësishme pas vrasjes së politikanit të opozitës serbe, Oliver Ivanoviq.
Ivanoviq u vra në vitin 2018 para ambienteve të zyrës së tij në Mitrovicë të Veriut, por kamerat e vëzhgimit në atë pjesë të qytetit dyshohet se nuk funksionuan ose nuk e regjistruan atentatin.
Boban thotë se nuk është mirë që kamerat kanë ekzistuar në ambiente publike, sepse ka “dyshime se kush i ka vendosur ato dhe për çfarë qëllimesh kanë shërbyer”.
“Nuk mund të mos kujtoj se sa vjedhje ka pasur, sa përleshje ka pasur, sa zjarre ka pasur dhe asnjë kamerë nuk i ka regjistruar”, thotë ai.
Shton se e mbështet policinë në heqjen e kamerave, sepse, siç shprehet, “ato nuk i kanë shërbyer qëllimit që duhet ta kenë kamerat”.
Predragu, në anën tjetër, është skeptik për heqjen e kamerave të vëzhgimit nga policia, sepse pret që të tilla të vendosen sërish nga policia.
Në këtë mënyrë, sipas tij, autoritetet e Kosovës do të mund të “abuzojnë” me video-vëzhgimin “për të ushtruar represion ndaj serbëve”.
Kristina, po ashtu nga Mitrovica e Veriut, beson se qytetarët e thjeshtë nuk kanë përfituar nga kamerat, “pavarësisht se kush i ka kontrolluar ato”.
“Në ndërtesën tonë janë thyer dy banesa private dhe nuk kemi ditur se kujt t’i drejtohemi për ta shikuar video-incizimin. Ndërsa kamerën e shohim, e shohim që ekziston… Nëse e kanë hequr, mirë që e kanë hequr nëse duhet, sepse ajo nuk ka shërbyer për asgjë”, thotë Kristina./Valona Tela/REL