Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka besim të plotë që Kongresi amerikan do ta mbështesë Kosovën në kërkesën e saj për të blerë raketa kundërtanke, Javelin.
Departamenti amerikan i shtetit konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë raketa Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarësh.
Bëhet fjalë për 246 raketa kundërtanke të këtij lloji, që prodhohen nga SHBA-ja, sipas një njoftimi të Agjencisë amerikane për bashkëpunim në siguri.
“Kam besim të plotë se Kongresi do ta mbështesë këtë shitje të mundshme ndaj vendit më proamerikan në tokë, si një akt që do të rrisë sigurinë në Kosovë, në rajon dhe në kontinentin evropian”, shkroi Osmani në platformën X.
Shitja e këtyre armëve, sipas DASH-it, mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.
SHBA-ja, sipas DASH-it, vazhdon të mbështesë Kosovën në transformimin “transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike për mbrojtje territoriale, të ndërveprueshme me NATO-n, që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile”.
“Departamenti amerikan i Shtetit shpesh ka vendosur të miratojë shitjen e huaja ushtarake për Ministrinë e Mbrojtjes ës Kosovës, për përdorimin e armëve nga Forcat e Sigurisë së Kosovës”, tha DASH-i të enjten.
Osmani tha se Kosova po hyn në një fazë të re vendimtare për aftësitë e mbrojtjes kombëtare “duke zhvilluar Forcën e Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s dhe duke thelluar më tej marrëdhëniet me partnerin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara”.
Ajo ka falënderuar sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken me të cilën tha se janë angazhuar në diskutime lidhur me Programin e shitjes së huaja ushtarake (FMS) në korrik 2022, gjithashtu, Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-së dhe Kongresin i cili tashmë ka marrë njoftim zyrtar për qëllimin e Kosovës për të blerë sistemet e armëve nëpërmjet programit FMS.
Sipas Aktit të Kontrollit të Eksportit të Armëve, një dokument që i jep presidentit të SHBA-së autoritetin për të kontrolluar importin dhe eksportin e artikujve dhe shërbimeve të mbrojtjes, Kongresi në këtë rast ka 30 ditë për shqyrtimin e kërkesës, por nuk nevojitet miratimi. Kjo periudhë nevojitet përpara lëshimit të letrës për aprovim të shitjes.
“Siç u tha në Deklaratën thelbësore të Qeverisë amerikane: “Kjo shitje e propozuar do t’i mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian që është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë”, shkroi Osmani.
Osmani të enjten vonë ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Alyson Grunder, takim në të cilin, njoftoi Presidenca, u bisedua për intensifikimin e bashkëpunimit me SHBA-në, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si dhe për zhvillimet e fundit në vend.
Sipas Agjencisë amerikane për bashkëpunim në siguri, në pakon mbrojtëse që Kosova ka bërë kërkesë të blejë, përveç 246 raketave Javelin FGM-148F – përfshirë gjashtë raketa testuese që i dërgohen blerësit kur të pranojë dërgesën – janë edhe 24 njësi për lëshimin e raketave Javelin, si dhe udhëzues të tjerë për përdorimin e raketave, dhe pajisje përcjellëse.
Më herët gjatë 11 janarit, nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës i thanë Radios Evropa e Lirë se blerja e raketave Javelin është paraparë në kuadër të ngritjes së kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Programi FMS (shitjet e huaja ushtarake) është një program i ushtrisë amerikane për të ofruar ndihmë të sigurisë dhe është një “mjet thelbësor i politikës së jashtme amerikane”, thuhet në ueb-faqen e Agjecisë amerikane për bashkëpunim në siguri. Sipas këtij programi, Qeveria amerikane dhe një qeveri e huaj mund të arrijnë marrëveshje ndërqeveritare, që quhet Letër e Ofertës dhe Pranimit.
Njoftimi për synimin e Kosovës që të blejë sisteme raketore nga SHBA-ja vjen në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, e ka cilësuar këtë lajm “zhgënjim i madh”.
Më 2028, kur pritet që FSK-ja të shndërrohet ushtri, ajo parashihet t’i arrijë të gjitha kapacitetet operacionale për, siç është thënë, “ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit”.
FSK-ja, aktualisht, ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet në mbi 7.500 dhe të përfshijë pjesëtarë aktivë dhe rezervistë.